Opozita braktis seancën, dështon rishikimi i buxhetit të Komunës së Prizrenit

Prizren | 09 Qer 2020 | 15:43 | Nga Ekonomia Online

Propozim vendimi për rishikimin e buxhetit të Komunës së Prizrenit për vitin 2020 nuk është vënë në votim fare në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës për shkak të mungesës së kuorumit për vendimmarrje.

Këshilltarët e PDK-së nuk kanë marrë pjesë në seancën e mbajtur të martën pasdite, me arsyetimin se nuk janë informuar me kohë për këtë seancë dhe se nuk kanë pasur mundësi që të përgatiten për pikën e rendit të ditës.

Për dallim prej PDK-së, këshilltarët e LDK-së që prej fundit të javës së shkuar kanë kaluar në opozitë, sikurse edhe ata të AAK-së dhe Nismës kanë marrë pjesë në seancë, por pas fjalimeve të përfaqësuesve të tyre, të cilët kanë kundërshtuar propozim vendimin për rishikimin e buxhetit, kanë lëshuar seancën e jashtëzakonshme. Me këtë rast opozitarët kanë kërkuar edhe dorëheqjen e kryetarit Mytaher Haskuka, me arsyetimin se qeverisja e tij në Prizren është e dështuar.

Në anën tjetër kryetari Haskuka pretendimet e opozitarëve i ka quajtur të pavërteta dhe ka shtuar se me mos votimin e rishikimit ata i dëmtojnë interesat e qytetarëve.

“Me mospjesëmarrje në këtë seancë, këta po pamundësojnë zhvillimin e projekteve infrastrukturore në kohën kur më së shumti i duhen Prizrenit”, ka thënë Haskuka.

Në mungesë të kuorumit, kryesuesi i KK-së, Sulltan Badallaj ka mbyllur seancën e jashtëzakonshme të organit më të lartë vendimmarrës lokal.

Të ngjashme