Opozita dorëzon kallëzim penal në Prokurorinë Speciale për tekstet shkollore

Prishtinë | 12 Nën 2024 | 11:54 | Nga Gzim Mujaj

Deputetët e opozitës nga Komisioni Hetimor Parlamentar për tekstet shkollore, kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale, raporton Ekonomia Online.

Ata kanë dorëzuar në Prokurori raportin e shkruar nga ekspertë, që sipas tyre, ka gjetur shkelje në procesin e subvencionimit.

Kryetari i Komisionit, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se raporti final ka mjaft të gjetura të shkeljes procedurale, shkeljeve ligjore dhe ka bazë për hetim të mëtejmë nga Prokuroria.

“Komision ka përmbyllur një proces të intervistimit në prani të eksperteve të emëruar nga ana e mazhorancës dhe nga ana e opozitës, gjegjësisht ne veç jemi këtu sot dhe ky proces është përmbyllur me një raport final, i cili ka mjaft të gjetura të shkeljes procedurale, shkeljeve ligjore dhe ka bazë për hetim të mëtejmë nga Prokuroria lidhur me përgjegjësinë e individëve që janë marr me këtë proces”, ka thënë ai.

Deputeti i PDK-së Ardian Kastrati, ka thënë se ministrja Nagavci si udhëheqëse e këtij procesi, ministri Murati, si përgjegjës i financave, si dhe kryeministri Albin Kurti, si shef i tyre, duhet të rrëfehen në Prokurorinë Speciale.

“Në këtë raport shkruhet që ka shkelje ligjore në procesin e subvencionimit të teksteve. Ka keq menaxhim dhe keq planifikim dhe pasoja të mëdha. Në cilësinë e procesit mësimor vitin e kaluar ku madje ka përfunduar viti dhe shumë nxënës nuk i kanë marrë librat deri në fund. Përveç kësaj është ndikuar edhe në transaksione të ndryshme, ku ka mundësi që dikush i ka marrë të hollat, e që jeton jashtë shtetit për shkak se është në ‘e Kosova’ nuk i ka fëmijët fare këtu në shkollë. Kanë marrë të hollat nga subvencioni. Kjo ka ndikuar edhe me transfer të linjave buxhetore siç është nga digjitalizimi që është cilësuar si shtylla e reformës në arsim. Mbi të gjitha janë dy pasoja kryesore të cilat për mua konsumojnë edhe elemente të veprës penale. E para është që në komisionin hetimor ata nuk kanë arritur të arsyetojnë se ku kanë mbetur 6 milionë euro diference. Nga 4 milionë të planifikuara ata i kanë harxhuar 11 milionë në vitin e kaluar. Përveç kësaj nxënësit nga klasa 6-9 nuk i kanë marrë fare librat. Nagavci si udhëheqëse e këtij procesi, Murati si përgjegjës që i kanë shpenzimet financiare dhe Kurti si shef i këtyre të parëve duhet të rrëfehen te prokuroria speciale”, ka thënë ai.

Deputeti i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se qysh nga themelimi i këtij komisioni kanë qenë të bindur se ka shkelje në këtë proces.

“Ne kemi qenë të bindur kur është themeluar Komisioni se ka shkelje ligjore dhe ka tejkalime te buxhetit, ka shpenzime më të mëdha se sa me metod tjetër të furnizimit të nxënësve me tekste. Kjo është vërtetuar edhe gjatë procesit të intervistimit të dëshmitareve që janë paraqitur para komisinoit”, ka thënë ai.

Ndërsa, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, duke ju përgjigjur akuzave të VV-së se raporti është shkruar nga zyrat e PDK-së, ka thënë se ekspertët e Komisionit janë përzgjedhur nga VV-ja.

“VV duhet të thotë diçka, edhe me rrejt diçka. Procesin e përzgjedhjes së eksperteve e ka përzgjedhur Armend Muja. Shumicën e vetave e kanë pasur ata. Ata kanë votuar, ata i kanë përzgjedhur ekspertët. Kur e kanë parë raportin me keqpërdorim të buxhetit me mbi 6.3 milion euro. Normalisht se diçka duhet të thonë ata. Mirëpo, unë besoj plotësisht se ekspertët as nuk e din ku janë zyrat e PDK-së, e as nuk i kemi përzgjedhur ne”, ka thënë ai.

Të ngjashme