Në vitin që lamë pas, Bjellorusia ishte në qendër të vëmendjes pasi gjatë muajit gusht filluan protesta masive pothuajse në të gjitha qytetet. Opozita në Bjellorusi kundërshtoi dhe i quajti mashtrim zgjedhjet e mbajtura më 9 gusht, ku Alexander Lukashenko u rizgjodh edhe një herë në postin e presidentit.
Kjo bëri që “sytë e botës” të ktheheshin kah Evropa Lindore, aty ku protestuesit po shtypeshin nga institucionet e udhëhequra nga Lukashenko, i cili tash e 26 vjet është në sundim, shkruan AP.
Mënyra e reagimit nga Lukashenko bëri që opozita të ndryshonte qasjen e protestave, duke i kthyer në paqësore. Por policia bjelloruse filloi të përdorte topa uji, gaz dhe plumba gome për të shpërndarë protestuesit.
Opozita tashmë ka paralajmëruar sërish intensifikim të protestave gjatë ditëve të ardhshme.
Në përgjithësi, aktivistët e të drejtave të njeriut thonë, më shumë se 30 mijë njerëz janë arrestuar në valën e gjatë të protestave, dhe shumë prej tyre u rrahën.