Këshilltarët opozitarë të VV-së dhe PDK-së në Podujevë e kanë bojkotuar mbledhjen e Kuvendit Komunal pasi, sipas tyre, kryetari i Komunës, Agim Veliu, është duke e injoruar organin legjislativ, shkruan sot “Koha Ditore”.
Para se të dilnin nga salla, ata kanë thënë se Veliu nuk është duke iu përmbajtur betimit të tij dhe as planit të punës së Kuvendit Komunal, sipas të cilit të premten do të duhej të raportonte për realizimin ose mosrealizimin e projekteve gjatë vitit 2018 dhe po ashtu për gjendjen financiare të Komunës. Shefi i Grupit të këshilltarëve të Vetëvendosjes, Fitim Haziri, ka thënë se në mënyrë demonstrative e bojkotojnë këtë seancë.
“Ne Grupi i Lëvizjes Vetëvendosje kemi vendosur ta bojkotojmë këtë seancë, sepse ne si grup jemi mbledh edhe e kemi bërë një plan të punës për Kuvendin Komunal. Aty ka qenë e paraparë që sot të prezantojë kryetari, që të flasë për projektet e vitit 2018 dhe për gjendjen financiare. Kryetari vazhdimisht po e injoron punën e Kuvendit Komunal dhe për këtë ne në mënyrë demonstrative e bojkotojmë këtë seancë”, ka theksuar Fitim Haziri.