Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se Qeveria e Kosovës është e paaftë për ta udhëhequr vendin, sepse nuk ka program dhe ide konkrete.
Madje, Zemaj tha se nëse nuk ka eliminim të këtyre defekteve, atëherë pse duhet të qëndrojë një Qeveri e dobët në pushtet.
“Ajo çka është evidente një qeveri e paaftë që është treguar për ta udhëhequr vendin. Nuk ka program, nuk ka ide. Gjithçka është populiste ashtu siç ka ardhur në pushtet. Janë çështje të cilat mund të diskutohen, por nëse nuk ka rikthim të një vëmendje ose nuk ka eliminim të këtyre defekteve qeverisje atëherë pse duhet të qëndrojë një Qeveri e dobët edhe e cila e rëndon jetën e qytetarëve tanë”, tha Zemaj.
Megjithatë, sa i përket planit për shëndetësi, ai shtoi se LDK-ja është e gatshme të ndihmojë me ide dhe praktika të mira.
“Ky është qetësimi jonë. Kjo qeveri nuk ka plan, nuk ka ide, nuk ka vullnet dhe mbi të gjitha është shumë teknike në kuptimin e pandemisë. Kjo është tmerruese që një ministri e shëndetësisë përkundër të gjitha vendeve nuk kanë plan dhe nuk kanë ide se si të ecet tutje. Do të duhet t’iu ndihmojmë t’iu japim ide dhe praktika të mira”.
“Kjo është treguesi i qartë qoftë i ministrit i cili e udhëheqë një dikastere që nuk ka plan dhe nuk ide se si menaxhohet pandemia në shtetin e vet. Kapacitete teknike ka sepse këto janë ndërtuar gjatë vitit 2020. Ndërsa të gjitha këto janë realizuar. Tash kërkohet vetëm menaxhim që nuk po e shohim. Nuk ki medikamente elementare në QKMF”.
Ndërsa, deputeti i AAK-së Shemsedin Dreshaj i pyetur rreth zgjedhjeve të parakohshme ka thënë se opozita nuk mund ta rrëzojë pozitën për shkak të numrave.
Doktori Dreshaj shtoi se për planin konkret për menaxhimin e pandemisë duhet të përgjigjet Ministria e Shëndetësisë, raporton EO.
“Këtë pyetje duhet t’ia bëni kryeministrit për shkak se opozita nuk mund të rrëzojë pozitën. Pra pozita i ka numrat. Nëse pozita është e interesuar të shkojë në zgjedhje do të kemi zgjedhje”.
“Në tri valët e kaluara të cilat kanë qenë në Kosovë ne i kemi menaxhuar dhe i kemi kaluar me këtë numër të shtretërve të cilët i kemi. Ajo çka ka ndërruar në raport me valët e mëhershme të pandemisë është se situata e furnizimit me oksigjen është më e mirë sesa që ka qenë më herët”, tha Dreshaj.