Partia opozitare Nisma Socialdemokrate në Shtërpcë, si dhe një pjesë e qytetarëve të kësaj komune, ankohen se projekti i rrugës Brezovicë-Qendra e skijimit dhe pjesa tjetër e rrugës në drejtim të Bajnicës, prej disa muajsh po zvarritet pa ndonjë arsye konkrete, shkruan sot Koha Ditore.
Në kuadër të këtyre projekteve përfshihet edhe asfaltimi i rrugës Brezovicë-ShtërpcëDrajkovc, në vlerë prej rreth 4 milionë eurosh me buxhet të Ministrisë së Infrastrukturës. Sipas vizitorëve, në Qendrën e Skijimit rruga kryesore është e degraduar dhe po e vështirëson qarkullimin e automjeteve.
Edhe zyrtarët komunalë në Shtërpcë e kanë pranuar se asfaltimi i këtyre rrugëve është mjaft i rëndësishëm, mirëpo për shkak të kushteve atmosferike ato janë ndërprerë në fund të vitit të kaluar. Rifat Rrustemi, këshilltar në KK të Shtërpcës nga radhët e Nismës, ka thënë se komuna duhet të angazhohej më shumë për finalizimin e këtyre projekteve rrugore, derisa janë në interes të përgjithshëm.
“Punimet në këto rrugë po zvarriten prej disa muajve pa ndonjë arsye konkrete, në anën tjetër vizitorët në Qendrën e skijimit po ankohen se rruga është e degraduar. Po ashtu, punimet po zvarriten edhe në projektet të tjera të cilat po realizohen nga Ministria e Infrastrukturës. Në këto raste, komuna duhet t’i bëjë presion institucional nivelit qendror, sepse interesi është i përgjithshëm”, ka thënë Rrustemi.