Opozita gjen mangësi në projektbuxhetin e 2026, shtyhet tri ditë seanca për buxhet

Prishtinë | 13 Shk 2026 | 17:11 | Nga Ekonomia Online

Grupet parlamentare opozitare në Kuvendin e  Kosovës janë shprehur kundër votimit për shmangien e afateve procedurale për shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026, duke kërkuar të paktën tre ditë kohë shtesë për analizimin e dokumentit. Opozita ka vlerësuar se projektligji, i cili ka rreth 700 faqe, kërkon shqyrtim më të detajuar para procedimit në lexim të parë, raporton Ekonomia Online.

Sipas opozitës, nuk ka urgjencë funksionale për miratimin e përshpejtuar të projektligjit, pasi Kuvendi tashmë ka miratuar vazhdimin e ndarjeve buxhetore për funksionimin e shtetit.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partia Demokratike e Kosovës, Arian Tahiri, tha se opozita ka treguar vullnet për të mos bllokuar shtetin duke mbështetur vazhdimin e ndarjeve buxhetore për muajin mars, por nuk e mbështet shmangien e procedurave dhe kërkon të paktën tre ditë kohë për analizimin e projektligjit nga deputetët e pozitës dhe opozitës.

“Mirëpo ne kemi argumentuar dhe dëshmuar vullnetin tonë dhe gatishmërinë për të kontribuar që shteti të mos bllokohet duke e mbështetur propozimin për vazhdimin për muajin mars. Andaj sot ne nuk e mbështesim këtë propozim dhe e kuptojmë, e kuptojmë rëndësinë, e kuptojmë që edhe jemi tolerantë te kjo pjesë që të ketë, të mos ketë proces të rregullt, të ketë procedura të përshpejtuara, mirëpo duke pasur parasysh se mjafton koha, minimumi kërkojmë një afat optimal që për neve konsiderojmë që është 3 ditë, në mënyrë që edhe deputetët e pozitës edhe deputetët e opozitës të kenë mundësi ta shohin materialin, ta analizojnë, duke pasur parasysh se është një dokument voluminoz me rreth 700 faqe dhe po flasim për projektligjin më të rëndësishëm të vendit, për buxhetin”, tha ai.

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se në dokument mungojnë disa zotime dhe buxhete për disa ministri, duke kërkuar shqyrtim më serioz të projektligjit, përfshirë konsultim me kabinetin qeveritar dhe komunat para se ai të sillet për diskutim në Kuvend.

“Po s’po flasim për ato zotimet e paprekshme që i dëgjojmë këtu se do të bëhet kjo apo ajo, që s’janë fare në buxhet, po katër ministra këtu s’e kanë buxhetin fare këtu. Andaj, bëhuni më seriozë dhe në këtë formë më serioze të ndalemi, merreni këtë dokument, jepni mundësinë këtyre të katërt apo pesë deputetëve t’i ulin e ta lexojnë ta shohin. Përshtateni me kabinetin tuaj në fillim. Përshtateni edhe me komunat e Kosovës. E më pas hajdeni në kuvend dhe sigurisht që jemi të gatshëm të diskutojmë për buxhet. Është mirë që këtu me qenë edhe i zoti i shpise, Kryeministri i Kosovës”, tha ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se nuk ka urgjencë për shmangie të procedurave, pasi shteti tashmë ka bazë funksionale buxhetore dhe se projektligji duhet të trajtohet në afatet e rregullta parlamentare.

“Janë katër argumente të cilat pashmangshëm na detyrojnë si Kuvend i Republikës së Kosovës mos me miratu këtë shmangie dhe mos me debatu sot projektligjin e vitit 2026. Në aspektin funksional të shtetit të Kosovës nuk ka asnjë nguti. Unë e shikova tek mbledhja e Ministrisë së Financave. Janar, po hy pak mbas, shkurt me hy dhe shkurt prapë te mars, që kjo është veç i vetmi afat. Ndërsa e dini çfarë don me na u bo ne? Deputetë të nderuar, nuk ka asnjë… asnjë urgjencë për shkak se ne dje kemi miratu vazhdimin e ndarjes buxhetore për funksionimin e shtetit të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se synimi ka qenë të sigurohet një buxhet emergjent për funksionimin e rregullt deri në miratimin e buxhetit të rishikuar, duke shtuar se pas miratimit të këtij projektligji do të fillojë procesi i buxhetit të rishikuar që do të rikthehet për shqyrtim në Kuvend.

“Pra ky synimi ka qenë që të ketë nji buxhet emergjent vetëm sa për të kemi nji mbarëvajtje deri në miratimin e nji buxheti të rishikuar, mbase larg n’muajin që vjen. Pra ne sa po të kemi nji përfundim të këtij ligji për buxhet, do t’i hyjmë procesit të buxhetit të rishikuar, i cili prapë duhet të vijë në Kuvend”, tha ai.

Të ngjashme