Opozita kërkon largimin e kryeministrit Kurti, pasi BE-ja konfirmoi sanksionet financiare ndaj Kosovës

Prishtinë | 02 Kor 2023 | 08:38 | Nga Ekonomia Online

Opozita ka kërkuar largimin kryeministrit Kurti, pasi BE-ja bëri të ditur se masat ndaj Kosovës, si përgjigje për mosndërmarrjen e veprimeve për shtensionimin e situatës në veri tashmë kanë hyrë në fuqi.

Madje siç u bë e ditur, këto masa i janë komunikuar Qeverisë qysh të mërkurën e 28 qershorit, lajm ky që ende nuk është kumtuar nga Qeveria e Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Siç është bërë e ditur është pezulluar përkohësisht puna në organet punuese në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, gjithashtu Kosova nuk do të ftohet në takimet të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen.

Kosova po ashtu është pezulluar nga programi 7.5 miliardësh të financuar nga Bashkimi Evropian.

Ndërkohë takimet që s’do të pezullohen janë ato që janë të fokusuara në adresimin e Kosovës në veri të Kosovës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Partitë opozitare kanë reaguar një nga një duke kërkuar largimin e kryeministrit Kurti.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar duke potencuar se Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht sesa sot, nën qeverisjen e Albin Kurtit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Abdixhiku shton se është “koha e fundit për një rrugë të re pa Kurtin dhe politikën e tij të izolimit”.

“Teksa ne humbasim nga programi 7.5 miliardësh për zhvillim dixhital, shtetet e rajonit ecin me hapa të mëdhenj. Kam takuar në vazhdimësi biznese nga komuniteti i IT-së, punëdhënës të jashtëzakonshëm, me potencial dhe më të madh. Sot, humbasin ata dhe të rinjtë që do të punësonin në vazhdimësi
Albin Kurti dhe politika e tij nuk e bën dot Kosovën shtet evropian. Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot. Serbia nuk ka pasur kurrë më shumë përkrahje se sa tani. Koha e fundit për një rrugë të re pa Kurtin dhe politikën e tij të izolimit”, shkruan ndër të tjera ai.

Ndërkaq, nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka thënë se Kosova sot është e përçarë nga brenda dhe e sanksionuar nga aleatët si rezultat i qeverisjes së kryeministrit, Albin Kurti.

Sipas saj, vlerat monetare të humbura janë më të vogla se dëmi që i është bërë kredibilitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Por, Kosova nuk i takon një njeriu.”, shkroi Çitaku në Facebook.

E kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, sërish ka kërkuar front të përbashkët kundër Kurtit, duke thënë mocioni për shkarkimin e tij, sot është interes kombëtar.

Sipas tij, hezitimi për të vepruar në një kohë krizë është bashkëfajësi.

“Prandaj sot është koha të veprohet dhe të bashkohen të gjithë ata që interes parësor e kanë Kosovën, qofshin në opozitë ose edhe deputetë të shumicës, e ta jetësojnë mocionin për shkarkimin e kësaj Qeverie. Hezitimi për të vepruar në kohë të një krize kaq të thellë e me pasoja të paimagjinueshme për vendin është bashkëfajësi. Mocioni për shkarkimin e Albin Kurtit, sot është interes kombëtar!”, ka shtuar Haradinaj.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar që Kuvendi të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar dhe dakorduar për kursin e veprimeve.

Shtensionimi i situatës, zgjedhjet e reja dhe rikthimi në dialog janë tri pikat e përmendura nga ndërkombëtarët si kërkesa për Kosovën dhe Serbinë.

Edhe gjatë ditës së djeshme liderët e BE-së, pas një takimi dyditor kanë bërë thirrje për deeskalim të menjëhershëm të situatës bazuar në tri pikat e propozuara nga Bashkimi Evropian.

Të ngjashme