Subjektet opozitare dhe Këshilli i Bashkësisë Islame në Komunën e Shtërpcës kanë kërkuar nga ekzekutivi ta iniciojë një propozim-vendim për ta paguar Bashkësinë Islame për ceremoni të varrimeve.
Një rregullore dhe një planifikim i tillë deri tashti është realizuar në shumicën e komunave të Kosovës, ndërkohë që zyrtarët në Komunën e Shtërpcës kanë thënë se ky proces ka ngecur deri tashti për shkak se aty dominon me shumicë komuniteti serb, por janë zotuar se brenda një të ardhme të afërt do të realizohet kërkesa e opozitës dhe BIK-ut në Shtërpcë, shkruan sot Koha Ditore.
Rreth kësaj çështjeje është debatuar mjaft gjatë edhe në mbledhjen e fundit të KK-së në fillim të kësaj jave.
Rifat Rrustemi, këshilltar në KK të Shtërpcës nga radhët e Nisma Socialdemokrate, ka thënë se mjetet e ekzekutivit të planifikuara për mëditjet jashtë vendit në vlerë prej 5.300 eurosh, mund të barten tek mallrat dhe shërbimet dhe të planifikohen për ceremoni varrimi për dy komunitetet në Shtërpcë.
Gjithashtu, edhe Erzen Islami, koordinator në subjektin opozitar Lëvizja Vetëvendosje dega në Shtërpcë, njëherësh banor nga fshati Firajë, ka thënë se ekzekutivi duhet patjetër ta hartojë një propozim-vendim dhe të miratohej në Kuvend për ta paguar Bashkësinë Islame në mënyrë që qytetarët t’i realizojnë ceremonitë e varrimeve pa komplekse.
Metush Bajrami, imam i xhamisë në fshatin Brod të Komunës së Shtërpcës, ka thënë se Komuna e Shtërpcës deri tashti e ka neglizhuar çështjen e pagesave për ceremoni të varrimeve, andaj një gjë e tillë duhet të iniciohej me urgjencë derisa është në të mirë të qytetarëve.
Nga ana tjetër drejtori i Administratës në Komunën e Shtërpcës, Havzi Ahmeti, ka sqaruar se deri tashti për shkak të dy komuniteteve në Komunën e Shtërpcës ka ngecur kjo çështje, andaj komuna është duke i shikuar mundësitë se si ta gjejë një zgjidhje brenda një të ardhme të afërt në mënyrë që qytetarëve të dy komuniteteve t’i paguhen ceremonitë e varrimeve.