Opozita ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mospjesëmarrje në seancën e Kuvendit për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve për Marrëveshjen e Washingtonit. Tutje, ata thanë se Kurti vjen në Kuvend vetëm për të recituar e vazhduar folklorizmat e tij, raporton Ekonomia Online.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu- Kodra, ka thënë se është e pakuptimtë të flitet në seancë për këtë marrëveshje pa prezencën e përfaqësuesve të Qeverisë.
Ajo ka thënë se ky veprim tregon arrogancë më shumë se sa që ka pasur ndonjë Qeveri ndonjëherë.
“E pakuptimtë që ne po flasim për marrëveshjen e Washnigtonit dhe në sallë nuk kemi asnjë përfaqësues të Qeverisë. Kjo tregon arrogancë. Kryeministri braktisë Kuvendin pa u përgjigjur për çështjet që ai duhet përgjigjet. Kjo qeveri nuk krahasohet me asnjë tjetër për arrogancën që e ka pasur në Kuvend”.
Ajo ka thënë se Kurti po vjen në Kuvend vetëm për të recitua e vazhdu folklorizmat e tij.
Deputeti Armend Zemaj nga LDK-ja, ka thënë se qytetarët duhet të shohin qasjen e kësaj Qeverie në raport me këtë marrëveshje që është me interes nacional.
“Qeveria po mungon dhe qytetarët e Kosovës duhet ta shohin e ta ndajnë një qëndrim të përbashkët me qasjen e tillë karshi çështjeve me interes nacional. Nëse marrëveshjet e Washingtonit janë kundër Kushtetuese, Kurti duhet të tregoj cilat janë pikat antikushtetuese dhe cilat janë pasojat”.
Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj ka thënë se deklaratat se në Washington janë thikat mbi harta është gabim strategjik.
Ajo ka kërkuar përgjigje nga kryeministri Kurti se a do ta zbatojë marrëveshjen e Washingtonit.
“Po kemi dialog pa platformë. Kanë shkuar në bisedime dhe ky Kuvend nuk di se çka është diskutuar dhe çka jo. Pse kryeministri nuk tregoi a do të zbatojë marrëveshjen e Washingtonit apo jo, kryeministri sa më parë të vij për raportim në Kuvend dhe jo të i ikë përgjegjshmërisë” është shprehur ajo.
Fadil Nura nga PDK-ja ka thënë se Kurti instaloi dhunën si formë e opozitarizmit kurse gënjeshtrën dhe mashtrimit si pjesë të politikës së tij.
“Është e papranueshme të dëgjosh kryeministrin tënd duke glorifikuar Shtëpinë e Bardhë si sinonim të së keqes”, ka thënë ai.
Ndërsa, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi e ka quajtur skandal diplomatik, mos urimin e pavarësisë së ShBA-së nga Ministrja Donika Gërvalla.