Mungesa e deputetëve të mazhorancës duke pamundësuar fillimisht kuorumin ka nxitur debat mes deputetëve të pozitës dhe opozitës në Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e blerjes së teksteve shkollore. Kjo bëri që fillimisht të dështojë mbledhja, por me rikthimin e deputetëve të pozitës ajo vazhdoi, raporton Ekonomia Online.
Nga opozita patën akuza se partia në pushtet ka tendencë për ta “bojkotuar” punën e Komisionit.
Deputeti i Partisë Demokratike, Bekim Haxhiu ka thënë se mungesa e deputetëve të pozitës është për shkak të bojkotimit të këtij komisioni për shkak se Lëvizja Vetëvendosje dëshiron të fsheh “hajnin, zhvatjen dhe keqpërdorim e buxhetit shtetëror”.
“Sipas planprogramit qe kemi miratuar, puna jonë duhet të vazhdojë deri në përfundimin e raportit final lidhur me hetimin tonë parlamentar në subvencionim e teksteve shkollore. Kemi bërë një punë intensive ndonëse Kuvendi kishte shkuar në pushime ne kemi mbajtur mbledhje dhe kemi intervistuar dëshmitarët çdo ditë. Pas intervistimit kemi qenë një numër të madh të gjetjeve të keqpërdorimit. Ka pasur përpjeke nga pushteti që kanë udhëhequr mbledhjen pa votimin e komisionit. Bojkotimi nga deputetët e VV-së është përpjekje në parandalimit të këtij komisioni. Zhvatje e buxhetit të shtetit ku kontrata e shtëpive botuese është katër milionë e gjysmë euro, kurse Qeveria ka shfrytëzuar 11 milionë euro. Kjo është hajni e pastër dhe zhvatje e parasë, sot kjo mungesë është me mbrojtur hanin dhe keqpërdorimin dhe zhvatjen e buxhetit”, ka thënë Haxhiu.
Mendim të njëjtë ka edhe kolegu i partisë, Ardian Kastrati. Deputeti i PDK-së ka thënë se mosardhja e Lëvizjes së Vetëvendosje është për ta mbrojtur “hajnin sepse nuk mund t’i arsyetojnë milionat”
“Faktet janë në dritë të diellit, kanë tentuar t’i shantazojnë gjetjet e këtij hetimit të komisioni. Këta janë me bojkotuar punën për ta mbrojtur hajnin, zhvatjen me miliona euro edhe dëshmitarët e kanë pranuar, ndërsa sot nuk vijnë sepse nuk kane se si t’i arsyetojnë këto miliona”, ma theksuar Kastrati.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu ka deklaruar se gjatë punës së komisionit “kanë dalë në shesh të gjitha te palarat me rastin e subvencionimit të teksteve”.
“Mungesa e opozitës është për ta përfunduar komisionin. Pas intervistave të shumta ka dalë në pah që gjatë atij procesi kundërligjor. Ketu ka ndodhur një veprim kundërligjor dhe përpjeka e pozitës është të mbrojë veprimin kundërligjor me furnizim me tekste. Gjatë punës së komisionit kanë dalë në shesh të gjitha te palarat me rastin e subvencionimit të teksteve”, ka thënë Veliu.
Ndonëse me vonesë në komisionin morën pjesë edhe dy deputetë të pozitës për të vazhduar mbledhjen.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza i është kundërpërgjigjur akuzave të deputetëve opozitarë.
Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje nuk po tenton të bojkotojë Komisionin Hetimor, duke shtuar se gjetjet do të reflektohen në komision.
“Është diskutuar përpjekje që me bojkotuar këtë Komision por kjo nuk është e vërtetë. Ne jemi të bindur edhe nga ajo qe kemi marrë informata që ky proces ka shkuar mirë dhe gjetjet do të reflektohet në komision. Ne jemi prezent dhe kemi gatishmëri ta përfundojmë punën, dhe të mos ketë tendencë që të manipulohet me ketë komision. Sa i përket dinamikës kohore të dëshmitarë kemi qenë në përfund të kësaj pjese. Nga të gjitha institucionet kemi mbërri me dëgjuar dhe me marrë informata. Edhe ekspertëve duhet kohë për ta krijuar raportin, na duhet një diskutim më i gjerë në lidhje me dinamikën e intervistimit të dëshmitarëve”, ka thënë Fejza.
Por me këtë reagoi deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati.
“Çka po bëni ju është padrejtësi dhe poshtërsi dhe është vepër penale. Ju e keni votuar, kemi kohën që të përfundojmë dëshmitarët dhe nuk e di pse nuk jeni ardhur. Ne duhet të vazhdojmë me intervestimin e dëshmitarëve, kemi kohë deri më 21 nëntor madje me ftu ende dëshmitarë”, ka thënë Kastrati.
Komisioni vendosi që të rifitohen të premten dëshmitarët të cilët janë intervistuar më 29 korrik.