Partitë opozitare në Fushë-Kosovë kanë alarmuar se mund të përhapen epidemi pas shpërthimit të ujërave të zeza që ndodhën të mërkurën pas një rrebeshi shiu.
Zyrtarët e tyre kanë kritikuar pushtetin e kësaj komune për gjendjen që ishte krijuar. Kryetari i Degës së PDK-së, Rrahim Tërnava, ka thënë se kjo gjendje do të duhej t’i alarmonte komunarët, shkruan sot Koha Ditore.
“Një qeveri që nuk është e përgatitur, në radhë të parë, t’i mbrojë qytetarët e vet, meriton të shkojë në shtëpi. Gjysma e buxhetit të harxhuar në udhëtime zyrtare do të mjaftonte që të sanohej problemi i kanalizimeve në qytetin e Fushë-Kosovës, që ujërat e ndotura të mos hynin në oborret e qytetarëve, siç ka ndodhur sot gjatë ditës, duke rrezikuar përhapjen e ndonjë epidemie, që kanë mbushur bodrumet e banesave dhe kanë vërshuar rrugëve të qytetit, duke e vështirësuar qarkullimin e kalimtarëve”, ka shkruar Tërnava në rrjetet sociale.
Sipas tij, problemi i kanalizimit është veç një segment i keqqeverisjes e keqpërdorimit të parasë publike dhe i mangësive të mëdha në përmbushjen e obligimeve nga pushteti lokal i Fushë-Kosovës.
“Qytetarët çdo ditë janë duke i adresuar tek ne problemet me të cilat ballafaqohen, të bindur se kjo qeveri nuk e meriton më tutje besimin e tyre. Ankesat e qytetarëve në adresën tonë kanë të bëjnë me frikën se mund të përhapet ndonjë epidemi pasi ujërat e zeza të nxjerra në sipërfaqe kanë shkaktuar kundërmim të padurueshëm gjithandej”, ka theksuar kryetari i Degës së PDK-së në Fushë-Kosovë.