Opozita në konferencë të përbashkët: Qeveria s’do të ketë parandalim për rritjen e çmimit të energjisë elektrike

Prishtinë | 26 Jan 2022 | 15:42 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, ai i AAK-së, Besnik Tahiri dhe Armend Zemaj i LDK-së, kanë mbajtur një konferencë për medie, pas dështimit të rezolutës për mos ngritje të tarifave të energjisë elektrike, raporton Ekonomia Online.

Ata kanë kritikuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ku këta të fundit nuk e përkrahën rezolutën e opozitës.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri është deklaruar para mediave pasi që bashkë me dy partitë e tjera opozitare lëshuan sallën e Kuvendit të Kosovës.

Tahiri tha se rezoluta e paraqitur ishte të kërkohej nga ZRrE-ja dhe Qeveria që në asnjë rrethanë të mos konsiderohet rritja e çmimit të rrymës në këtë nivel çfare është propozuar.

“Sot kemi pritur që një rezolutë e tillë të votohet, pasi tashmë ka edhe paralajmërime të ndryshme për protesta e organizime për të kundërshtuar sepse kjo e bënë të pamundshme jetën në Kosovë. Paga e një shërbyesi civil, një mjeku, një arsimtari e polici e një sektori privat është e papërballueshme për të mbuluar koston e përditshmërisë duke shtuar këtu edhe çmimin e energjisë elektrike. Kjo mazhorancë tregtoi që ka një koordinim të plotë në mes të ZRRE-së dhe Grupit Parlamentar të VV-së dhe Qeverisë”, tha Tahiri.

Ai gjithashtu tha se të tria janë bërë bashkë të aplikojnë një bllok tarifë që është e papërballueshme për jetën e qytetarëve në Kosovë.

“Sot VV-ja bëri një gjest që tregoi qartë pozicionimin e VV-së dhe të Kurtit sa i përket ngritjes së çmimeve, pra nuk votuan një rezolutë që do të kërkonte nga ZRrE të mos vazhdojë me një politike të tillë, prandaj ne nuk kishim si të vazhdonim më tutje në seancë që është krejt e parëndësishme në raport me atë që prezantuam ne si grupe parlamentare të opozitës. Në mënyrë që të parandalonim. Duket qartë se parandalim nga Qeveria s’do të ketë dhe se janë pro rritjes së energjisë elektrike me tarifa dhe norma të papërballueshme. Duhet që tani të përdorim të gjitha mekanizmat ligjor për të parandaluar një gjë të tillë”, deklaroi Tahiri.

Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka folur në një konferencë për media pasi të tri partitë opozitare në Kuvend, PDK, LDK dhe AAK kanë lëshuar seancën ku pritej të votohej rezoluta kundër rritjes së çmimit të energjisë dhe që ka dështuar në mungesë të kuorumit.

“Vendimi ynë për me e lëshu sallën plenare sot vjen si rrjedhojë e një votimi totalisht të papërgjegjshëm prej një votimi që në esencë është ikje prej besimit qytetar. Secili shqiptar i dytë e ka votuar LVV-në dhe mospjesëmarrja e VV-së në votim e dështoi. Për shkak se rezoluta nuk është obligative, është rekomanduese dhe e kish ndihmu situatën”, tha ai.

Më tutje, ai është shprehur ZRRE-ja dhe qeveria kanë sinkronizim të plotë lidhur me rritjen e çmimit të rrymës dhe ka theksuar se kriza dhe rreziku i situatës do të vie atë ditë kur vie fatura e parë e energjisë me rritje.

“ZRRE-ja dhe qeveria kanë sinkronizim të plotë në raport me këto tarifa. Vendimi për ngritjen e çmimit është vendim për me evarfënu qytetarin e Kosovës, sot polici, mjeku, zyrtar publik, ai në sektorin privat nuk e ka asnjë cent më të madhe rrogën por e ka shumëfish më të lartë çmimin edhe në produkte ushqimore edhe në energji. Albin Kurti, populli të ka votu me ofru zgjidhje, mos ik prej përgjegjësisë, besimi është i shenjtë, nuk është zor me e majtë, krijo zgjidhje, jo zgjidhje duke e rënduar qytetarin e Kosovës, por duke ia lehtësu, dhe duke u përballur me krizë që nuk do të kalojë lehtë. Rreziku i situatës do të vjen atë ditë kur vjen fatura e parë e energjisë me rritje”, tha Tahiri.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj është deklaruar para mediave lidhur me lëshimin e sallës pasi që nuk është përkrahur për votim rezoluta që kishte të bënte me parandalimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Zemaj tha se këto improvizime mashtruese të Qeverisë së Kosovës duke tentuar të fshihen nga prapa veprimeve të ZrrE-së apo krizës globale është se ka të bëjë pikërisht me mosdijen e tyre.

“E më e rëndësishmja është e qytetarëve nga varfëria, ndëshkimet apo papërgjegjësia. Me mos veprimet e saj e ka sjellur gjendjen këtu. Veprimet tona janë të ligjshme për të parandaluar një të keqe që po i pret qytetarët, pa asnjë mundësi për të kërkuar mundësi të tjera për të përballuar këtë gjendje e cila është pasqyra e vërtetë e kësaj shumice parlamentare, që po vazhdon edhe tash në Kuvendin e Kosovës”, tha Zemaj.

Deputeti i LDK-së theksoi se nuk mund të bëhen pjesë e kësaj loje, përkundër numrave që kanë Lëvizja Vetëvendosje.

“Ne nuk mund të bëhemi pjesë e kësaj loje, përkundër numrave të plotë dhe mbështetjes që e kanë tani edhe nga Lista Serbe. E keni parë se katër komunat me shumicë serbe nuk përfshihen në rritje dhe kjo është fytyra e vërtetë e kësaj Qeverie.Bashkë me qytetarët mendojmë se kjo qeveri duhet të ndëshkohet, karshi interesit të përgjithshëm e interesi është që qytetarët”, shtoi ai.

Të ngjashme