Asamblistët e dy partive opozitare në Kuvendin komunal të Prishtinës e kanë vlerësuar se qeverisja e Përparim Ramës nuk është në gjendje të mirë. Problemin me qentë endacakë, kaosin në komunikacion e mungesa e investime, janë disa nga kritikat e tyre drejtuar Përparim Ramës, raporton Ekonomia Online.
Bahri Gashi, shef i asamblistëve në Kuvendin e Komunës së Prishtinës nga AAK, në një përgjigje për EO ka treguar se projektet që i ka realizuar i pari I Prishtinës nuk janë serioze dhe mund të quhen mini-projekte.
“Qeverisja e Përparim Ramës nuk është duke shkuar mirë, këto 16 muaj është duke shkuar shumë ngathtë me projekte të vogla ose me mini-projekte të cilat vazhdojnë prej qeverisjes së kaluar. Nuk po shohim akoma diçka serioze një projekt që ai ka premtuar në fushatë dhe me të cilën i ka marrë votat, ky është edhe një zhgënjim për qytetarët sepse është pritur shumë më shumë se sa është duke u bërë. Ka ngecje në procese, ka ngecje në procedurat të tenderimit, unë besoj që prokurorimi në komunë të Prishtinës është bajagi profesional, por siç duket kanë telashe në përgatitjen e pjesës teknike të cilën e bëjnë njësia kërkuese”, tha Gashi për EO.
Gashi ka përmendur problemin me qentë endacakë, duke thënë se nuk mjafton vetëm ndarja e parcelës për ndërtimin e strehimores së qenve endacakë.
“Këto ngecje janë duke na kushtuar neve, e shohim çdo ditë. Jemi në sheshin e Prishtinës, e shohim një qenë por që nuk e ka vendin këtu, ky duhet që të jetë në strehimore por ajo strehimore ka mbetur vetëm në letër. Një parcele është ndarë me disa telashe administrative edhe kaq. Përpjekja e vetme e Përparim Ramës, është ndarja e parcelës por jo edhe funksionalizimi i strehimores që është i nevojshëm”, tha Gashi.
Kritika ka edhe për sheshin e “George Bush”, për të cilin thotë se qytetarë po i vuajnë pasojat. Thotë se ka shkaktuar kaos e tollovi në komunikacion.
“Pastaj kemi probleme të tjera me sheshin ‘George Bush’, që është i bllokuar për qytetarë dhe çdo ditë Prishtina i ka pasojat e atij sheshi. Fatkeqësisht aty është një mes shesh që është e pa mundur që me merri qytetari me ec ose të pushoj aty, por ai është duke e konsideruar shesh. Unë mendoj që duhet që të marr masa shumë serioze në këtë drejtim edhe të bëjë një zgjidhje sa më të shpejt të këtij ngërçi në komunikacion. Kemi edhe probleme të tjera siç është me mbeturinat këto 6 muajt e fundit, punëtorët janë në gjendje shumë të mjerueshme, më vjen keq që të shprehem kështu, por janë në një gjendej shumë të keqe, si për pajise, si për rroba adekuate, thuajse shumica e ndërmarrjeve në këtë shkallë janë”, thotë Gashi.
Gashi tha se tërë këto ngecje janë për shkak të Perparim Rames, pasi sipas tij kryetari nuk ka përvojë politike dhe praktike.
“Kemi ngecje të mëdha, nuk ka kontrata serioze, nuk ka projekte serioze. 1.6 milion deri më 15 mars ka pasur kontrata të nënshkruara të cilat janë sporadike që nuk janë as të dorës së dytë, infrastruktura është shumë keq. Unë mendoj që ngecja është kryesisht tek Përparim Rama, ka mungesë së përvojës politike edhe ka mungesë të përvojës praktike në vendin ku ka lindur por që ska jetuar. Ka mungesë të përvojës së madhe politike. Një farë fasade në rrjete sociale, me disa konferenca, por ato janë, nëse bëjmë marketing për një rrugë 50 metra që është shtruar asfalt është qesharake sepse jemi në shekullin 21”, tha Gashi.
Njëjtë si Gashi mendon edhe anëtari i Kuvendit Komunal në Prishtinë nga rradhët e Nismës, Endrit Zabërgja, i cili për EO tha se qeverisja e Prishtinës është në nivel të dëshpërimit dhe se lë shumë për të dëshiruar.
“Qeverisja lokale e kryetarit aktual Rama mund të themi se sa zhvillim Prishtina po përjeton ngecje, po e them këtë nisur nga problemet apo prioritetet kryesore të qytetarëve të cilat kanë qenë të evidentuara para fushatës dhe që ende i kemi prioritete dhe që nuk po bëhet asgjë konkrete në lidhje me përmirësimet e tyre. Kur them kështu flas konkretisht për problemet reale siç është pastrimi, siç janë qentë endacakë, siç është komunikacioni i ngarkuar, pjesë të tjera të sferës së jetës të cilat deri tani prej kur e ka marrë kryetari Rama qeverisjen, pra tash e një vit nuk është bërë diçka konkrete. Andaj e konsideroj që qeverisja e kryetarit Rama është në një nivel të dëshpërimit krahas asaj që e kemi pritur dhe nëse futemi më thellë në analizën e çështjeve të tjera konkrete duke i përfshirë ndërmarrjet publike, duke i përfshirë punët ose mosefikasitetin e punëve që është duke u bërë deri më tani masim dhe kuptojmë që qeverisja e zotit Rama lë shumë për të dëshiruar”, tha Zabërgja.
Ai listoi disa prej arsyjeve që ka sjellur këtë gjendje, e që njëra prej tyre sipas tij është mosinteresimi real për problemin.
“Arsyet mendoj që ka disa arsye, ndoshta në rend të parë është mosinteresimi real për problemet kryesore të qytetarëve dhe ndoshta mund të jenë interesat e ndryshme të cilat para prioriteteve të qytetarëve kryetarit Rama ia vënë prioritet të tjera. Ajo çfarë ne jemi duke pritur tash e disa kohë është një menaxhim efikas në kuadër të problemeve të cilat fillimisht janë të vogla, sepse pa i përfunduar problemet e vogla ne nuk mund të dalim tek zhvillimet e mëdha dhe duket sikur kryetari Rama dhe qeverisja kanë një apetit për të punuar ose ëndërruar projekte të mëdha, mirëpo jo për t’u fokusuar tek çështjet konkrete që do të kishin rëndësi vitale për jetën e qytetarit”, tha Zabërgja për EO.
Ai në fund tha se duhet të bashkëpunohet me partitë opozitare që të ngritën çështje përpara.
“Gjithmonë them se politika i takon vet iniciativës varësisht se sa njeriu dhe se sa partia politike synon të jetë krahë qytetarëve, dhe t’i përfaqësojë qytetarët do ta krijojë hapësirën e vet. Ne e kemi hapësirën e nevojshme në asamblenë komunale, e kemi komunikimin e përhershëm me qytetarët dhe besojmë që edhe si parti politike edhe si asamblist i ri qëndrojmë ndër ata më aktivët në përfaqësimin dhe në çështjet e ngritura me rëndësi për qytetarët. Besoj se në të ardhmen do të kemi hapësirën më të madhe në kuadër të asaj që presim që të realizohen pak a shumë pritshmëritë tona në kuadër të politikave që jemi duke i zbatuar mirëpo besoj që ka gjithmonë vend jo vetëm për mua si asamblist apo si parti, po nga gjithë ekzekutivi komunal që të krijohet bashkëpunim dhe konstruktivitet më i madh me partitë opozitare në përgjithësi”, tha Zabërgja.