Opozita në Prishtinë: Qeverisja e Ramës e dështuar, koalicioni PDK-LDK, shefa e pa një zot shtëpie

Prishtinë | 07 Qer 2022 | 15:51 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje në 6 muaj qeverisje të kryetarit të Prishtinës Përparim Rama në kryeqytet kanë konsideruar si muajt më të dobët të qeverisjes.

Madje nga subjekti opozitar në këtë komunë kanë thënë se cilësia dhe kualiteti i jetës në kryeqytet po degradon çdo ditë e në anën tjetër.

E kualicionin mes PDK dhe LDK e kanë cilësuar “shefa e pa një zot shtëpie”.

Postimi i plotë i VV-së:
RP4PR = probleme për Prishtinën,
apo gjysëm viti i rëndë për kryeqytetin.
Sot janë bërë gjashtë muaj prej se kryetari Rama ka marrë detyrën. Padyshim, bazuar në rezultatet dhe gjendjen në terren, si dhe nga reagimet dhe opinioni publik që mbizotëron, janë këta ndër muajt më të dobët në qeverisjën e kryeqytetit prej çlirimit e tutje.
U bënë gjashtë muaj e askund spo shihet përparimi. Për më tepër, e për më keq, jo që s’ka përparim por ka veç prapakthim.
Cilësia dhe kualiteti i jetës në kryeqytet po degradon çdo ditë e në anën tjetër, gjysëm viti në detyrë dhe asnjë projekt i vetëm i filluar nga ato çfarë janë premtuar e me të cilat i kanë fituar zgjedhjet. Asnjë i vetëm.
Se nuk flitet për përparim e dëshmon gjendja faktike në të cilën ndodhët qyteti dhe qytetarët : me më shumë mbeturina se kurdo më parë, me më shumë qenë endacak e më shumë sulme të tyre, me rrugët plotë me gropa, më pakënaqësi e protesta të qytetarëve në gati çdo lagje, me ndërmarrje publike komunale pranë bankrotimit, drejtori pa projekte e plane konkrete e me shërbimet komunale në nivelin më të ulët për vite të tëra. Tashmë edhe rradhët e pritjes u kthyen në sportelet e komunës kurse terri u kthye gjithandej rrugëve të qytetit. Për fshatra mos të flasim. As që i kanë përmendur gjatë kësaj kohe, nuk kanë qenë temë fare.
Pra, pa asnjë dyshim, për gjashtë muaj diku stagnim e diku prapakthim. Më shumë e më shpesh kjo e dyta.
Prishtina po përballët me një qeverisje të dezorientuar e të pashembullt, me një koalicion të çuditshëm LDK-PDK, me shumë shefa e pa një zot shtëpije, pa koordinim e pa besim të ndërsjellë, me shantazha ndaj njëri-tjetrit.
Çdo ditë jemi dëshmitarë të shpërfaqjës së mungesës së njohurive bazike të qeverisjës, përzierje kompetencash, shkelje procedurale e ligjore që po rezultojnë me vonesa e pengesa në përditshmërinë e qytetarëve tanë.
Po ballafaqohemi me një pushtet që qeverisë pa program. Në fakt, as që është prezentuar një program as para kuvendit e as para qytetarëve. Pa plan të veprimit e pa strategji për asnjë nga problemet konkrete. Veprime e vendime të pamenduara, sot per nesër, e në të shumtën e rasteve sot per sot.

Krejt çfarë po bëjnë është marketing, shumë marketing për hiç gjë. Fjalë shumë e punë hiç. Demagogji e retorikë boshe dhe tendenca të vazhdueshme për përvetësim meritash. Të gjitha këto nga nevoja për t’u dukur se po punohet diçka.

Ndërkohë, nga ajo cfarë kemi parë dhe me të cilën jemi ndeshur, nga kapacitetet dhe qasja e tyre, shpresa se gjërat do të lëvizin pozitivisht, me këtë konstalacion politik, janë minimale, për të mos thënë janë zero. Prandaj, fatkeqësisht, si qytetarë të Prishtinës, duhet të përgaditemi për një rrugë të gjatë, një tunel të errët, me shumë sfida e vështirësi.

Megjithatë, si Lëvizje VETËVENDOSJE!, si grupi më i madh i asamblistëve në Kuvendin Komunal të Prishtinës, për asnjë moment nuk do të ndalemi së kërkuari llogari dhe përgjegjësi për veprimet dhe mosveprimet e ekzekutivit komunal.

Do të jemi, siç e kemi dëshmuar, konstruktiv e bashkëpunues për punë të mira e në dobi të qytetit dhe kritik e alarmues sa herë që cenohet publikja e rrezikohet drejtësia.

Të ngjashme