Qindra mbështetës të opozitës janë mbledhur këtë të diel para Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku kërkojnë lirimin e të gjithë protestuesve të arrestuar mbrëmjen e djeshme.
Sipas ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, rreth 100 protestues janë shoqëruar dhe arrestuar mbrëmjen e djeshme gjatë protestës së opozitës. Sipas Salianjit, rreth 30 prej tyre, përfshirë edhe të mitur, janë liruar pasi nuk kishte asnjë provë për përfshirje në akte të dhunshme.
Protestuesit kanë bllokuar rrugën para drejtorisë dhe bëjnë thirrje kundër qeverisë Rama.
Protesta e sotme para Drejtorisë së Policisë së Tiranës u lajmërua pas mesnatës së djeshme nga vetë Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. “U bëj thirrje qytetarëve të Tiranës të na bashkohen nesër në orën 11:00 para Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Drejtorisë së Torturës dhe Krimit, do të protestojmë për lirimin e qytetarëve të arrestuar, të dhunuar barbarisht nga kriminelët me uniformë. Nesër në orën 11:00, të gjithë qytetarët e Tiranës janë të ftuar në protestën para Drejtorisë së Policisë së Tiranës”, tha Basha./tvklan.al/