Partitë opozitare vlerësojnë se pushteti komunal i Vitisë po reflekton qasje të gabuar sa i përket mënyrës sesi po orienton mjetet buxhetore, duke kërkuar që ato të destinohen më tepër në projekte zhvillimore, e jo vetëm në asfalt.
Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) vlerësojnë se mjetet buxhetore duhet të alokohen për ndërtimin e sistemit të kanalizimit nëpër vendbanime dhe funksionalizimin e ujësjellësit.
Ndërkaq, sipas tyre, qeverisja komunale është koncentruar vetëm në asfaltim të rrugëve.
Këshilltarja komunale nga radhët e VV-së, Mirlinda Sadiku, ka deklaruar se nuk ka planifikim të mirë të investimeve kapitale nga ana e Komunës, dhe se nuk ka sqarime rreth mënyrës sesi orientohen mjetet.