Kryeministri, Albin Kurti sot në krye të Shëndetësisë e ka riemëruar Arben Vitinë.
Vitia që ishte ministër në këtë qeveri, u largua pasi kandidoi për kryetar të Prishtinës. Pas humbjes së zgjedhjeve, ishte raportuar se ai u angazhua drejtor i një kompania laboratorike në vend.
Në lidhje me riemërimin e Vitisë, për Insjaderin janë deklaruar anëtarët e Komisionit të Shëndetësisë.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se bazuar në performancën e Vitisë gjatë kohës kur ishte ministër, kjo pozitë për të është shpërblim.
“Njeri që ka dështu në procesin e vaksinimit, që i ka gjujtë në bërllog nja 133 mijë doza të vaksinave, që auditori gjatë kohës kur ai ka udhëhequr me shëndetësinë ka gjetur mbi 12 milionë euro keqpërdorime nga ai, minstria dhe nga bordët e emëruara nga qeveria Kurti. Është ky ni lajm i keq për shëndetësinë e Kosovës sepse ata që keqpërdorën po shpërblehen”, ka deklaruar Haxhiu.
Sipas tij, qasja e kryeministrit tregon se Lëvizja Vetëvendosje këtë pozitë e ka vendosur në pazar me sektorin privat.
“Edhe qasja e Lëvizjës Vetëvendosje është në pazar me sektorin privat, siç e dini Vitia ishte nja 6-7 muaj ministër i shëndetësisë, pastaj nja një vit drejtor i spitalit privat dhe që tre muaj, Albin Kurti ka pritur, Arben Vitinë, të përfundoj pazaret dhe angazhimet në spitalin privat që ka punuar dhe shëndetësia jonë ka vuajtur për njerëz kompetent që udhëheqin me këtë sektor”, ka thënë deputeti i PDK-së.
Haxhiu, gjithashtu shtoi se, ligji për parandalimin e konfliktiti të interest e saktëson se nëse je në pozitë menaxheriale, në këtë rast ministër i shëndetësisië, nuk mund të jeshë pjesë as direkte e as indirekte e klinikave, laboratoreve ose spitaleve që të kesh marrëdhenie kontraktuale. Ai theksoi se organet e drejtësisë duhet të merren me këtë shkelje, siç e quan ai, të Vitisë.
Ndërsa, anëtari i Komisionit për Shëndetësi, Armend Zemaj ka thënë se ky veprim është gabim i qeverisë.
Sipas tij, sektori i shëndetësisë ka degraduar.
“Riemërimi i Arben Vitisë është në vazhdën e veprimeve qeveritare të gabuara në shëndetësi. Thellim i degradimit në sektorin e shëndetësisë“, ka thënë shkurt Zemaj.