Presidenti Hashim Thaçi përbën autoritetin që gëzon mbështetjen më të madhe të kosovarëve për t’i prirë delegacionit shtetëror në fazën finale të dialogut me Serbinë, ka treguar një sondazh i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), që është publikuar të mërkurën në Prishtinë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Megjithëkëtë, opozita ka vendosur të mos e heqë “vijën e kuqe” për kreun e shtetit.
Miratimi në Kuvend i secilës marrëveshje që mbërrihet në këtë proces, varet nga vota e subjekteve politike në opozitë, të cilat ia kontestojnë legjitimitetin kreut të shtetit për përfaqësim të vendit në dialog.
Sondazhi i KDI-së ka treguar se vetëm 31 për qind e të anketuarve mendojnë se grupin negociator duhet ta udhëheqë ndonjë nga liderët e partive në opozitë, kurse 44 për qind janë deklaruar për presidentin.
Një ditë më parë, gazeta e ka siguruar draftin e trupit negociues, i cili mban statusin e dokumentit konfidencial. Në krye qëndron “Ekipi Negociator i Kosovës”, që parashihet të përbëhet nga bartësit e institucioneve të shtetit dhe nga liderët e partive politike. Fill nën të është “Grupi Strategjik”. Pastaj, janë shtatë grupe të tjera profesionale, mes të cilave “Grupi për çështje ligjore”, “Grupi për demarkacion” e “Grupi për pajtim dhe falje”.