Opozita serbe kërkon seancë urgjente për Vuçiqin dhe Banjskën

Prishtinë | 03 Tet 2023 | 14:05 | Nga Ekonomia Online

Organizatorët e protestës kërkuan një seancë parlamentare për përgjegjësinë e Vuçiqit për Banjskën.

Përfaqësuesit e partive opozitare serbe që organizojnë protestat “Serbia kundër dhunës” kërkuan të martën thirrjen e një seance urgjente parlamentare për të përcaktuar përgjegjësinë e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për ngjarjet në Banjskë, pasi ata besojnë se kërcënojnë interesat jetike kombëtare.

“Kërkojmë që pika e parë e rendit të ditës të jetë raporti i Vuçiqit për situatën e sigurisë në Kosovë me referencë të veçantë për ngjarjet në Banjskë. Kërkesa e dytë është formimi i Komisionit Hetimor për të përcaktuar rrethanat, faktet dhe përgjegjësitë lidhur me ngjarjet në veri të Kosovës dhe veçanërisht për të ndriçuar rolin e Milan Radoiçiqit në ato ngjarje”, tha përfaqësuesi i Partisë Demokratike Srgjan Milivojeviq, në konferencën për media të këtij grupi të përfaqësuesve në Kuvendin e Serbisë.

Duke iu përgjigjur pyetjes për bashkëpunim me partitë e djathta opozitare serbe, ai tha se këtë kërkesë do t’ua paraqesë edhe përfaqësuesve të tjerë.

Sipas tij, Vuçiq e vuri Serbinë në rrezik për rikthimin e sanksioneve, dhe serbët në Kosovë janë të ekspozuar ndaj “dhunës së zhveshur të Albin Kurtit”, ndërsa Vuçiq dhe Kurti janë “të zënë vetëm duke luftuar për vlerësime politike”.

“Vuçiq mund të dalë para qytetarëve si Stipe Mesiqi, nëse vazhdon kështu dhe të thotë – puna ime ka mbaruar, ky vend nuk ekziston më. Ne jemi të vendosur ta kundërshtojmë këtë dhe të themi që nuk pranojmë të jemi. heshtim për këtë, por ne kërkojmë diskutim në Kuvend”, ka theksuar Milivojeviq, transmeton Dnevni avaz.

Në adresë të këtyre përfaqësuesve është paralajmëruar protesta “Serbia kundër dhunës” për të premten në Novi Sad dhe të shtunën para Kuvendit të Serbisë në Beograd.

Një pjesëtar i policisë së Kosovës u vra më 24 shtator kur sulmuesit e armatosur, rreth 30 prej tyre, sulmuan njësitë policore në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, një zonë e populluar kryesisht me serbë. Në përleshjet që pasuan mes atij grupi të armatosur që u strehua në manastirin e Banjskës dhe policisë, u vranë katër terroristë dhe u arrestuan tetë persona.

Të ngjashme