Një nga synimet teorike të sociologjisë së njohjes mbetet të kuptuarit e atyre formave të mendimit që janë produkt i situatave, gjendjeve dhe kushteve sociale. Kjo detyrë e dallon këtë disiplinë nga epistemologjia, psikologjia, dhe “psikogjenetika” e mendimit. Sepse, objekt i saj, nuk janë format “intime” të mendimit, apo kriteret epistemike të subjektit njohës të shkëputur nga proceset sociale, as të vërtetat e përjetshme metafizike, por strukturat mentale të grupit, partive politike, dhe mënyra se si reflektohen ato në sjelljen dhe veprimet e individëve.
Me këtë rast një vend qendror në këto hulumtime e zë edhe raporti dinamik ndërmjet “ideologjisë dhe utopisë”. Kjo temë e përbën edhe subjektin qendror të librit “Ideology and Utopia- An Intruduction to the Sociology of Knowledge” të sociologut të njohur, Karl Manheim. Pra ky proces dialektik e përshkruan arkitekturën e këtij libri.
Sipas K. Mahheim-it, që edhe konsiderohet njëri nga studiuesit më meritor në estabilishimin e kësaj disipline njohëse, koncepti i ideologjisë reflekton atë zbulim që derivon nga konfliktet politike kur mënyra e të menduarit të grupeve sunduese kapërthehet aq shumë nga situatat sociale sa që ato thjesht nuk janë në gjendje t’i shohin disa fakte të cilat e minojnë sensin e tyre të dominimit. Pra në mënyrë implicite nocioni “ideologjisë” e pasqyron atë realitet ku “pavetëdijshmja kolektive”, i mbulon kushtet reale sociale si për vetveten ashtu edhe për të tjerët më qëllim që t’i stabilizoj ato.
Ndërkohë, e kundërt me këtë funksion të ideologjisë është utopia. Ndonëse, edhe kjo formë e mendimit nuk është se nuk vuan nga disa mangësi, megjithatë gjatë betejës politike disa struktura sociale, nëpërmjet saj janë të interesuara “intelektualisht” aq shumë në transformimin kushteve të dhëna sociale.
Është e vërtetë, thotë profesor Menheim, se mendimi i tyre nuk është në gjendje ta diagnostifikoj në mënyrë korrekte realitetin ashtu siç është. Mbartësit e mendimit utopik nuk janë të preokupuar plotësisht se si realiteti ekziston, por më shumë me anë të mendimit të tyre utopik, ata kërkojnë vetëm ta ndryshojnë situatën. Ky mendim më shumë shërben si guidë për aksion. Nuk dyshim, se edhe brenda skemës së mendimit utopik, e “pavetëdijshmja kolektive”, e cila drejtohet nga një dëshirë për përfaqësim dhe vullnet për aksion, mbulohen disa aspekte të realitetit, por në saje të këtij veprimi kolektiv, kjo formë e mendimit ia del të demaskoj pretendimet e mendimit ideologjik, që ta stabilizoj një gjendje soci-politike, sipas interesave të atyre që e dominojnë.
Kuptohet, esktrapolimi i këtyre kategorive të ngjeshura sociologjike në kontekstin tonë social dhe politik kërkon një tjetër hapësirë, por ky lexim i shpejt dëshmon edhe për disa nga arsyet kryesore se pse në skenën tonë politike sot mungon opsioni i ndryshmit. Ngase si pushteti ashtu edhe opozita janë kapërthyer brenda së njëjtës skemë ideologjike, me qëllim që t’i ruajnë pozicionet e tyre dominuese politike dhe ekonomike. Konflikti i tyre formal është shprehje e të “pavetëdijshmes së tyre kolektive” për ta maskuar interesin e tyre real të përbashkët. Prandaj, edhe mungon çdo horizont utopik që do të shërbente si “impuls” për transformim të kësaj situate.
Pushteti është akomoduar në institucione publike, kurse një pjesë e opozitës me shumë është e fokusuar në menaxhimin e kafiterive e bizneseve të tyre private. Të dy palët janë të kënaqura me gjendjen. Prandaj, edhe kjo opozitë me qëllim që t’i mirëmbajë interesat e saj private ekonomike është shndërruar në instrument ideologjik të pushtetit për ta stabilizuar këtë gjendje politike. Kjo edhe është arsyeja që deri më tani një pjesë e saj krejt çka ka “vepruar” ka qenë shpresa për një rikthim në pushtet nga ndonjë kurthim eventual i Albin Kurtit në procesin e dialogut, e jo me anë të veprimeve kolektive për ta transformuar realitetin ekzistues social, politik dhe ekonomik. Kurse për shkak të kësaj dëshire të ethshme dhe partitë e tyre i kanë shndërruar në struktura klienteliste dhe familjare, dikush duke emëruar dhëndrin, dikush nipin, e dikush djalin në strukturat e hierakise partiake, vetëm duke pritur atë moment fatlum që familjarisht të rikthehen edhe një herë në majat e Olimpit politik.
Ndërkohë, shumica e qytetarëve të pakënaqur të kësaj shoqërie, për shkak të këtij mospërfaqësimi politik, ndryshimin kanë vendosur ta kërkojnë në mënyrë individuale, duke pritur para dyerve të ambasadave të shteteve perëndimore, në kërkim të shpëtimit te tyre personal dhe familjar.