Politika kosovare është kapërthyer nga një paradoks i çuditshëm. Në pushtet ndodhet një parti e cila i fitoi zgjedhjet si pasojë e apetiteve qytetare për ndryshim. Shumica qytetare e perceptoi atë si të vetmen adresë për ta plotësuar këtë nevojë të gjithanshme shoqërore. Mirëpo, ajo tani po dështon t’i plotësoj këto pritje. Kurse, në anën tjetër kemi një opozitë e cila u ndëshkua , sepse konsiderohej si pengesë për jetësimin e ndryshimit.
Sidoqoftë, ky paradoks, tashmë më mirë se asgjë tjetër, tregon për një gjendje të çuditshme të stangimit dhe statusqou-s, sociale dhe politike, ku jemi katandisur. Ngase, pushteti është komod aty ku ndodhet. Kurse opozita s’po demonstron asnjë interes për ta përvetësuar kauzën e ndryshimit si armë politike kundër dështimeve të pushtetit. Kjo heshtje dhe aleancë e cinike me qeverinë nuk është diçka e rastësishme. Sepse, koniunkturat sunduese të partive opozitare, e dinë shumë mirë, se kërkesa e qytetareve për ndryshim ishte e drejtuar kundër tyre. Prandaj, për ta ruajtur pozicionin e tyre ato nuk kanë interes që ta radikalizojnë këtë betejë politike. Por, ta mbajnë gjendjen kështu si është.
Në këtë mënyrë, synimi i tyre është që ta transmetojnë mesazhin në publik, se ndryshimi është i pamundur. Dhe kështu ta mbrojnë vetën duke e amnistuar pushtetin. Kjo është arsyeja, që me këtë qasje opozita sot, më shumë po i shërben pozitës, sesa qytetarëve. Sepse, nuk pranon të identifikohet më nevojat e tyre kundër pushtetit.
Prandaj, më këtë sjellje ajo është bërë pengesë më e madhe për ndryshim, se sa vetë pushtetit. Ngase po i mban të bllokuara potencialet kritike dhe kanalet për mobilizim shoqëror, me anë të cilave duhej të ushtrohej presioni publik mbi pushtetin. Por, në vend të këtij angazhimi ka vendosur ta kultivojë frymën e indiferenës dhe pajtimit me realitetin. Kuptohet, tërë këtë lojë e luan me anë të një gjuhe “post-politike” dhe nevojën për konsensus dhe mirëkuptim.
Është ky mentaliteti bizar, për të cilin dikur Martin Luther King-u, thoshte se s’ka asgjë me neveritëse sesa kur “dikush të thotë pajtohem me ty për qëllimin që i je vënë, por nuk mund të pajtohem me metodat e tua të veprimit të drejtpërdrejtë,,, është më tepër irrituese kur njerëzit me vullnet të mirë të kuptojnë në mënyrë të cekët, sesa kur ata me vullnet të lig të keqkuptojnë plotësisht. Miratimi i vakët të huton shumë më të tepër se sa refuzimi i prerë”.