Opozita thotë se Projektligji për përfaqësim në arbitrazh ka gabime drejtshkrimore, Haxhiu: S’kemi staf, i përmirësoj edhe vet

Prishtinë | 27 Qer 2023 | 14:48 | Nga Hasan Hoti

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit e ka votuar në parim Projektligjin për përfaqësimin e institucioneve shtetërore në procedura gjyqësore dhe arbitrazh, raporton Ekonomia Online.

Në lidhje me këtë projektligj raportoi ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, e cila tregoi në pika të shkurta në lidhje me këtë Projektligj.

Deputeti i LDK-së Driton Selmanaj, e kritikoi Ministrinë për shkak se ky Projektligj ka pasur gabime drejtshkrimore.

Sipas tij, Projektligji po ashtu ka pasur edhe disa paqartësi në përmbajtje.

“Fillimisht një vërejtje teknike se si ka ardhur ky projektligj tek ne, ka gabime drejtshkrimore, ka w në vende të ë. Janë edhe disa çështje përmbajtjesore”, tha ai.

Ministrja Haxhiu tha se shpesh edhe ajo vetë ka ndërhyrë në përmasime të drejtshkrimit dhe kjo është duke ndodhur për shkak të mungesës së stafit.

“Mendoj që vërejtja e deputetit është me vend shpesh, e gjej vetën edhe ne duke ndërhyrë në gabimet drejtshkrimore sepse nuk është situatë vetëm në këtë ligj, por edhe në projektligjet e tjera. Kjo po ndodh për shkak të stafit”, tha ajo.

Deputeti i PDK-së Hajdar Beqa, tha se ky projektligj ka nevojë për reforma më të thella, raporton EO.

“Ka nevojë një reformë më w thella në këtë projektligj. Mendoj edhe ligji aktual nuk i përfshinë të gjitha ato. Ky ligj e forcon rolin e Ministrisë dhe ministres dhe nuk e ndryshon statusin e Avokatit”, tha ai.

Ministrja  Haxhiu shtoi se qëllimi i tyre ka qenë që të fuqizojnë avokaturë shtetërore.

“Qëllimi jonë ka qenë që ta fuqizojmë avokaturën shtetërore. Së fundi janë rritur edhe pagat, është shtuar edhe numri i avokatëve shtetëror, janë shtuar 5 do të shtohen edhe disa”, tha ajo.

LEXONI EDHE:

Të ngjashme