Në Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti është kritikuar Qeveria e Kosovës nga deputetët të opozitës, duke thënë se ekzekutivi po tenton të legalizojë një pronë ilegale për t’ia dhënë në shfrytëzim kompanisë “Cosmote Foods”, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i këtij Komisionit, Ferat Shala ka propozuar që lënda e kësaj prone publike të kthehet tek Qeveria.
Ai tutje ka pyetur ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, duke i thënë se si është e mundur që Qeveria të legalizoj një pronë të tillë.
“Si mund ta procedoj Qeveria një ligj të tillë që ka mangësi dhe kemi marrë shkresë që lënda ka pasur probleme. Qeveria po tenton ta legalizoj një pronë jo efektive dhe ilegale. Kjo lëndë më shumë është për Prokurori sesa për Parlament”, tha Shala.
Ministrja Hajdari tha se kanë trashëguar shumë sfida dhe çështje nga qeverisjet e kaluara.
“Ne jemi sfiduar si ministri me shumë çështje që i kemi trashëguar, dhe po mundohemi t’i marrim të gjitha me seriozitet. Ligji për Investime Strategjike ka qenë prezent dhe është akoma, por që afati i aplikimeve ka përfunduar dhe tjetër qartazi se nuk duhet të jenë kundër rregullave”.
Ministrja tha se përgjigja që kane marrë nga Qeveria është se duhet të vazhdohet me punën duke shtuar se kanë mbetur peng që secilin projektligj ta ndjekin veç e veç për secilin projekt,
“Mund të them që me këtë çështje janë marrë për gjashtë muaj”.
Kryetari Shala iu është kundërpërgjigjur ministres duke thënë se pajtohet me atë që tha për udhëzimin administrativ por jo edhe për shkeljen e Kushtetutës, duke theksuar se ministrja po e banalizon veten me këtë shkelje.
Shala tha se krejt kjo kompani është në listën e financuesve të Vetëvendosjes.
“Konstatimi juaj është korrekt kur thua për udhëzimin administrativ që është i keq, dhe heqja e kritereve bazike është i dëmshëm. Por sinqerisht po e banalizoni veten kur po thoni sepse po shkelet Kushtetuta. Është në listën e financuesve të Vetëvendosjes”
Deputeti i VV-së, Armend Muja, thotë se kjo pronë nuk mund të quhet ilegale.
Komisioni ka vazhduar edhe me shumë debate e kësaj here të deputetit të VV-së dhe kryetarit të Komisionit, Ferat Shala.
“E kuptoj rolin e opozitës, por jo që të vihet sot këtu dhe të paraqiteni kështu”, tha deputeti Hyseni.
Komisioni rekomandoi që të sjellën dokumentet e nevojshme dhe pastaj të procedohet tutje lënda.
Po ashtu në këtë komision është votuar edhe Projektligji për topografit elektronike të gjysmë përçuesve.
Hajdari ka raportuar për formimin e grupit të punës për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Trepçën.
Deputeti Driton Hyseni propozoi para komisionit që në rend dite të përfshihet edhe Projektligjin për masat e kostos për masat për uljen e kostos së shtrirjes ekonomike, ku sipas tij synimi kryesor është lehtësimi dhe nxitja e sistemeve elektronike.
Komisioni miratoi edhe këtë pikë të propozuar nga deputeti Hyseni për projektligjin në fjalë.
Ministrja Hajdari arsyetoi procedurimin e këtij ligji, ku tha se kërkohet edhe nga Marrëveshja për Stabilizim Asociimit.
“Është me të drejtë që sot të raportohet mbi këtë projektligj sepse duhet arsyetuar rrjedhën e topografisë dhe origjinaliteti që kooperojmë. Nga ky ligj përfshihen shumë të drejta qe rrjedhin dhe e shohim si detyrim që të aprovohet ky projektligj sepse është një nga Marrëveshjet e Stabilizim Asocimit”, tha Ministrja.