Olliver Vujoviq, me prejardhje nga Prishtina, punon në Kosovë, por familja e tij jeton në Serbi. Kjo është arsyeja pse ai kalon pothuajse çdo fundjavë përmes pikës kufitare Kosovë-Serbi. Ai drejton një veturë me targa NI (Nishi, qytet në Serbi) dhe sa herë që hyn në territorin e Kosovës vendos në targa letrat ngjitëse të bardha mbi simbolet shtetërore.
Po ashtu, të gjithë ata që drejtojnë automjete me targa RKS (Republika e Kosovës) i mbulojnë simbolet shtetërore në targa, me letra ngjitëse të bardha, gjatë hyrjes në territorin e Serbisë.
Kjo është pjesë e marrëveshjes së përkohshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila është arritur me ndihmën e Bashkimit Evropian, më 30 shtator të vitit të kaluar, me qëllim të shtensionimit të situatës në veri të Kosovës.
Dy javë para nënshkrimit të marrëveshjes, popullata shumicë serbe në veri të Kosovës, bllokoi rrugët që të çojnë në vendkalimin Jarinjë dhe Bërnjak, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vendosur masa reciproke ndaj Serbisë për targat.
Masat reciproke parashikuan marrjen e targave provuese gjatë hyrjes në territorin e Kosovës, gjë që ka ndodhur që nga viti 2011 për qytetarët e Kosovës që kanë shkuar në Serbi.
Marrëveshja e përkohshme për targat duhet të zëvendësohet me një marrëveshje përfundimtare. Grupet punuese, të cilat janë formuar rreth gjashtë muaj më parë, me përfaqësues të Prishtinës, Beogradit dhe Bashkimit Evropian, më së voni deri më 21 prill duhet të paraqesin një zgjidhje të përhershme për targat, “bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së”.
Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë (REL), Olliver Vujoviq thotë se ka qenë optimist se Kosova dhe Serbia do të gjejnë një zgjidhje kompromisi, por tani me afrimin e afatit për arritjen e marrëveshjes, nuk është i sigurt për një gjë të tillë.
“Kam frikë se pas skadimit [të afatit për arritjen e zgjidhjes përfundimtare], gjithçka do të kthehet në mënyrën e vjetër [me masa reciproke]”, thotë Vujoviq.
Për të, vendosja e letrave ngjitëse mbi simbolet në targa është ende një zgjidhje më e mirë sesa marrja e targave provuese.
Ndonëse kanë mbetur rreth dhjetë ditë deri në skadimin e këtij afati, opinioni ende nuk i di saktësisht propozimet për një zgjidhje të përhershme dhe as sa afër marrëveshjes janë të dyja palët.
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, tha se grupet punuese janë takuar më 7 prill dhe se duhet të arrihet urgjentisht një zgjidhje kompromisi për të përmirësuar lirinë e lëvizjes.
“Është përgjegjësi e të dyja palëve që të merren vesh për një zgjidhje”, shkroi Lajçak në llogarinë e tij në Twitter.
Sipas burimeve diplomatike të Radios Evropa e Lirë, në Bruksel do të duhej të mbahej edhe një takim tjetër para datës 21 prill, kur skadon afati për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për targat. Nëse deri atëherë nuk gjendet zgjidhje, Kosova mund të fillojë të aplikojë sërish masa reciprociteti ndaj Serbisë. Siç ka treguar praktika edhe më herët, një gjë e tillë mund të rrezikojë ngritjen e tensioneve në veri të Kosovës, ku janë katër komuna të banuara me shumicë serbe.
Pala e Kosovës nuk dëshiron që të arrihet një zgjidhje tjetër e përkohshme. Sipas saj, mandati i grupit punues është gjetja e një zgjidhjeje të përhershme dhe jo një zgjidhje tjetër e përkohshme.
Sipas të njëjtave burime, “ka hapësirë për kompromis” dhe në tavolinë ka propozime që mund të jenë të pranueshme për të dyja palët.
Një zgjidhje mund të jetë njohja reciproke e targave të Kosovës dhe Serbisë.
Ka propozime dhe ide të tjera, për të cilat të dyja palët duhet të vendosin.
Burime diplomatike nga Brukseli, po ashtu bëjnë të ditur se pala kosovare “ka treguar gatishmëri për të pranuar disa nga propozimet”, por se pala e Beogradit ende nuk ka treguar qëndrim të qartë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Lajçakun në margjinat e forumit ekonomik në Greqi, me të cilin ka biseduar edhe për çështjen e targave.
Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, të premten, më 8 prill, Kurti ka theksuar se afati për arritjen e zgjidhjes përfundimtare skadon për dy javë, por nuk janë specifikuar detajet për ecurinë e bisedimeve për këtë çështje.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetjen se a është e afërt një marrëveshje përfundimtare për targa dhe cilat propozime janë diskutuar deri më tani, por deri në publikimin e këtij teksti nga ekzekutivi nuk kanë dhënë përgjigje.
Marrëveshja e përkohshme për targat, sipas së cilës me letra ngjitëse të bardha mbulohen simbolet shtetërore të Kosovës dhe Serbisë, është arritur me qëllim të shtensionimit të situatës në veri të Kosovës.
Më herët, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, ka vendosur masa reciproke ndaj Serbisë lidhur me targat. Kjo ishte arsyeja që serbët lokalë në veri të Kosovës bllokuan për dy javë rrugët për në vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Në ato dy vendkalime gjatë gjithë kohës kanë qëndruar pjesëtarët e njësive speciale të Policisë së Kosovës, ndërkaq që aeroplanët ushtarakë serbë disa herë kanë fluturuar mbi pikën kufitare në Jarinjë. Asokohe, Beogradi zyrtar tha se njësitet e Ushtrisë së Serbisë janë në gatishmëri të ngritur luftarake, në garnizonet e Rashkës dhe Novi Pazarit, afër kufirit me Kosovën.
Masat reciproke të Qeverisë së Kosovës ndaj Serbisë, të 20 shtatorit të vitit të kaluar, nënkuptonin që të gjithë ata që drejtojnë vetura me targa të qyteteve nga Serbia, duhet t’i zëvendësojnë ato me targat provuese. Ideja ishte që këto targa provuese të ishin të vlefshme për 60 ditë dhe të kushtonin pesë euro.
Deri atëherë, qytetarët e Kosovës, të cilët kishin targa RKS (Republika e Kosovës), përgjatë një dekade, kur hynin në territorin e Serbisë, paguanin rreth pesë euro për targat provuese, që vlenin për 60 ditë.
Ky vendim i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave reciproke ndaj Serbisë përkoi me skadimin e targave KS (Kosova), neutrale ndaj statusit, me të cilat mund të shkohej në territorin e Serbisë pa targa provuese. Po ashtu, Qeveria e Kurtit njoftoi se qytetarëve në veri të Kosovës do t’u hiqen të gjitha targat KM (Mitrovica e Kosovës), të lëshuara nga autoritetet serbe dhe të cilat janë të paligjshme për Kosovën.
Targat me akronimet e qyteteve në Kosovë, të lëshuara nga Serbia, në mjediset e banuara me serbë në jug të lumit Ibër, u hoqën në vitin 2011, pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për lirinë e lëvizjes. Këto janë targat PR (Prishtinë), PZ (Prizren), UR (Ferizaj), GL (Gjilan) e kështu me radhë.
Por, në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, gjatë gjithë kohës ka qenë e mundur ngasja e automjeteve me targa KM të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, gjë që ishte në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit.
Grupi i Ballkanit për Politika në Prishtinë, ka konkluduar se marrëveshja e përkohshme për targat nuk përmend në mënyrë eksplicite targat e lëshuara nga autoritetet serbe dhe të cilat ende përdoren në veri të Kosovës.
Kjo është publikuar në raportin për zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për lirinë e lëvizjes, më 25 mars.
Tash për tash, regjimi i vendosjes së letrave ngjitëse të bardha vlen edhe për ato targa.
“Rrjedhimisht, disa argumentojnë se marrëveshja në mënyrë indirekte i ‘legalizon’ targa jolegale”, konkludon raporti, duke shtuar se “Qeveria e Kosovës duhet të bëjë përpjekje për të vendosur marrëveshje afatgjata me Serbinë, përndryshe çështja do të kthehet sërish në burim tensioni”.
“Tensionet nga barrikadat e vitit të kaluar nuk janë zbutur”, paralajmëron Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhëniet Etnike në Beograd. Rrjedhimisht, ai arrin në përfundimin se Prishtina dhe Beogradi nuk do të arrijnë një marrëveshje për targat.
Ai thekson se kryeministri i Kosovës, Kurti do t’i rikthehet “politikës së reciprocitetit” dhe shton se pala serbe nuk është e gatshme të arrijë marrëveshje në këtë moment, duke pasur parasysh se zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare janë mbajtur më 3 prill dhe se tashmë do të pasojë formimi i Qeverisë së Serbisë.
“Ajo për të cilën është arritur pajtimi në shtator, për tabelat, është bërë në mënyrë manipuluese me ndihmën e Lajçakut dhe parashikohet saktësisht që letrat ngjitëse të hiqen më 21 prill. Kjo është një lojë, të cilën e luajtën në mënyrë interesante. Pra, pasi Beogradi nuk do të paraqitet në negociata, vetëm të ndodhë që letrat ngjitëse të hiqen sipas metodologjisë së re, e cila është shumë e rrezikshme, pra, metodologjisë së realitetit të ri. Dialogu, siç është zhvilluar deri më tash, është e pamundur të ripërtërihet”, thotë Janjiq.
Kosova dhe Serbia janë duke zhvilluar dialog për normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve që nga viti 2011. Deri më tani janë nënshkruar mbi 30 marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar në terren.
Aktualisht, negociatat në nivel të lartë politik, udhëhiqen nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të cilët u takuan vetëm dy herë vitin e kaluar, por nuk është bërë asnjë përparim.
Për këtë arsye Bashkimi Evropian ka vendosur që takimi i radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit të caktohet nga negociatorët në nivel teknik, gjegjësisht kur të jetë e sigurt se është i mundur një përparim.
Negociatorët kryesorë në nivelin e dialogut teknik janë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe drejtori i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq.