Pritja e gjatë për mëngjes ose darkë, mund ta rritë rrezikun e sëmundjeve të zemrës, sugjeron një studim i ri. Hulumtimi, i cili analizoi shëndetin dhe dietën e më shumë se 100 mijë njerëzve, zbuloi se çdo orë ka rëndësi kur bëhet fjalë për kohën e vaktit.
Ngrënia e mëngjesit dhe darkës më herët, është më e mirë për parandalimin e sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru – transmeton Sun Health.
Ekspertët nga disa institucione evropiane thonë se gjetjet tregojnë se “orari i vaktit” si dhe “cilësia e të ushqyerit”, mund të ndikojnë në shëndetin e zemrës.
Studimi i fundit shqyrtoi të dhënat shëndetësore të saktësisht 103.389 njerëzve nga studimi NutriNet-Santé, një projekt i nisur në vitin 2009, për të studiuar lidhjen midis të ushqyerit dhe shëndetit.
Shkencëtarët evropianë zbuluan se për çdo orë që dikush e vonon mëngjesin, ka gjashtë për qind rrezik për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare.
Për shembull, nëse një person hante vaktin e parë në orën 7:00 të mëngjesit dhe një tjetër në orën 10:00, personi i dytë do të kishte një rrezik prej 18 për qind më të lartë për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare gjatë jetës së tij.
Studiuesit thanë se nevojitet punë e mëtejshme për të ekzaminuar lidhjen midis kohës së vaktit dhe shëndetit kardiovaskular.