Orav: Borell ka rekomanduar heqjen e masave, pas reformave do t’ju mbështesim me fonde

Prishtinë | 30 Tet 2024 | 18:09 | Nga Hasan Hoti

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, ka rekomanduar heqjen e masave ndaj Kosovës, ndërsa diskutimet po vazhdojnë me anëtarët e Këshillit, raporton Ekonomia Online.

Orav ka theksuar se BE ka marrë një hov të ri për zgjerimin e saj, mirëpo Kosova dhe vendet e Ballkanit Perëndimor kanë punë dhe çështje për të zgjidhur në mes vete.

“Aderimi në BE është një çështje shumë me rëndësi, edhe për BE-në është obligim t’i përgjigjet historisë, sot lufta është kthyer në botë, me luftën e agresionit rus në Ukrainë.  Ky hov i ri për zgjerimin është mu tani, kohet e fundit kemi hapur negociatat me Shqipërinë, pas shume viteve punë”.

“Pasi të adaptoni reformat në përputhje me agjendat e BE-së ne do t’ju mbështesim me fondet, Kosova dhe vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shumë punë për të bërë edhe duke zgjidhur çështjet me njëra tjetrën. BE nga ana tjetër e tregon zotimin ndaj jush, edhe përmes asistencës financiare”.

Ndërsa ka folur për sulmin e Bansjkës, Orav ka lavdëruar reagimin profesional të Policisë së Kosovës. Ai ka përmendur edhe disa fusha ku Kosova ka shënuar progres të mirë e disa të tjera ku ka nevojë për më shumë punë.

“Sa i përket sulmit në Bansjkë dhe reagimit, besoj qe kjo ka treguar reagimin profesional te Policisë së Kosovës, ka shënuar progres të mire në funksionimin e një ekonomie funksionale, Kuvendi është ballafaquar me sfida në çuarjen përpara të ligjeve për të cilat Kosova ka nevojë. Pritet edhe përmirësimi në gjyqësor, Kosova ka një nivel më të madh të spastrimit të çështjeve dhe ka grumbulluar numrin e madh të lëndëve në pritje. Në fushën e mjedisit kemi përparim te kufizuar”.

Orav ka rekomanduar që Kosova e Serbia të vazhdojnë drejt normalizimit të raporteve ndërmjet njëra tjetrës.

“Kosova e Serbia duhet të vazhdojnë drejt normalizimit të raporteve ndërmjet njëra tjetrës. Përfaqësuesi Borell ka rekomanduar heqjen e masave dhe diskutimet po vazhdojnë me anëtarët e Këshillit. Progresi konstant me kalimin e viteve nënkupton afrimin me BE-në, Kosova duhet të angazhohet në luftimin e korrupsionit dhe forcim të gjyqësorit”.

Të ngjashme