Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav thotë se Kosova e ka detyrim ligjor themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ai thekson se Asociacioni është një nga marrëveshjet e dialogut që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2013 dhe si i tillë duhet të zbatohet pa vonesa.
Orav nënvizon se një gjë e tillë theksohet edhe në Raportin për Kosovën, derisa e quan të domosdoshme që Kosova dhe Serbia të bëjnë hapa drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të arritur në vitin 2023.
“E vërtetë, nuk është vetëm raporti i këtij viti që merret me dialogun por edhe raporti i mëparshëm është marrë me dialogun, sepse fillimisht Serbia dhe Kosova janë pajtuar për normalizimin e marrëdhënieve dhe Bashkimi Evropian në mënyrë aktive po e lehtëson këtë proces. Kështu që ka shumë më tepër se çfarë duhet bërë, dhe kaq shumë nga këto detyrime janë në një marrëveshje reciproke të cilat duhet të zbatohen. Është absolutisht e qartë”, ka thënë ai për Kosovapress.
Duke folur për të ardhmen e dialogut, Orav thotë se dinamika e këtij procesi mbetet të shihet pas konstituimit të strukturave të reja në Bashkimin Evropian.