Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) në një konferencë për media ka paraqitur pesë plagjiatura të reja nga profesorët e Universitetit të Prishtinës, të verifikuara dhe konfirmuara nga Këshilli i Etikës, raporton Ekonomia Online.
Dibran Hoxha nga kjo organizatë tha se ajo që po ndodh në Universitetin e Prishtinës është skandaloze, ngase plagjiatorëve po u shqiptohen dënime qesharake.
Sipas tij, profesorët që plagjiatorë janë dekani i Fakultetit të Sporteve Musa Selimi, profesori Bylbyl Sokoli, profesori Ajvaz Berisha, profesori Hazir Salihu dhe profesori Afrim Koca.
“Urime! U vërtetuan edhe 5 plagjiatura të reja. Në një situatë normale ne do t’ju uronim dhe me kaq do ta mbyllnim këtë adresim për publikun. Por, ajo që po ndodh në Universitetin e Prishtinës është skandaloze. Plagjiatorët në këtë universitet po shpërlahen siç shpërlahen paratë e mafisë. Atyre po u shqiptohet dënimi më qesharak që mund të mendohet për një hajn. Po u shqiptohet dënimi me mosmentorim të diplomave nga dy e tre vjet, çka në fakt përbën lehtësim të punës së tyre”.
“Gjatë vitit 2022 ORCA ka vërtetuar 7 plagjiatorë. Ardian Kastrati deputet në Kuvendin e Republikës, Bujar Dugolli senator në UP, 1 muaj më parë. Ndërkaq sot, këtyre iu bashkohen edhe 5 të tjerë, përfshirë dekanin e Fakultetit të Sporteve Musa Selimi, profesorin Bylbyl Sokoli, profesori Ajvaz Berisha, profesori Hazir Salihu dhe profesori Afrim Koca”.
“Më 28 tetor 2021, ORCA kishte denoncuar në Këshillin e Etikës pretendimet e bazuara për plagjiaturat e 5 profesorëve të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit. Ndërsa më 4 korrik 2022, Këshilli i Etikës ka vendosur që pretendimet e dorëzuara nga ORCA qëndrojnë dhe si rrjedhojë të 5 profesorët shpallen plagjiatorë. Ky është një hap para në luftën për integritet akademik, por po ashtu hapje e një kutie të pandorës kur është fjala për masat që merren për ta”.
“Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës plagjiaturën po e dënon me mosmentorim temash të diplomave, kërkesa jonë është që në varësi të rasteve që plagjiatorët ose të përjashtohet dhe t’u merren titujt aktualë kur ata e kanë mashtruar universitetin, ose të merren masa si moslejim i avancimeve kur ata nuk kanë arritur që mashtrimin ta çojnë deri në fund”.
Ai ka shtuar se e vetmja zgjidhje mbetet vettingu ngase siç thotë arsimi i lartë është në krizë, raporton EO
“Pas këtyre 7 vendimeve ORCA mendon se janë pjekur kushtet për një ndërhyrje radikale të Ministrisë së Arsimit. Dhe kjo ndërhyrje nuk mund të jetë asgjë tjetër veçse vettingu në arsimin e lartë. Madje këtë e kanë kërkuar edhe 35 organizata të shoqërisë civile me një letër publike drejtuar qeverisë së Kosovës më 29 qershor 2022”.
“Ju do të na thoni se ne po bëjmë thirrje për ndërhyrje në autonominë akademike të universitetit. Ne ju themi juve se universiteti nuk gëzon autonomi për të strehuar plagjiatorë, pra hajdutë, dhe të shkelë përveç të gjitha rregullave e ligjeve në fuqi edhe kodet më logjike morale e etike të kësaj shoqërie. ORCA më nuk do të dorëzojë asnjë lëndë të ngjashme në instancat e Universitetit të Prishtinës, por do të orientojë të gjitha energjitë e saj në presione ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë së Kosovës. Tash topi është në oborrin e ministres Arbërie Nagavci dhe Kryeministrit Albin Kurti. Këta të dy, nëse brengosen për të ardhmen e këtij vendi duhet të ndërhyjnë. Ky vend rrezikohet seriozisht nga rehabilitimi i korrupsionit, konkretisht hajnisë, që do të na çojë në një krizë të thellë morale si shoqëri, ndërkohë që cilësia në arsim do të bie edhe më poshtë, po, edhe më poshtë seç jemi, do me thënë së shpejti nga 76% analfabetë siç tregojnë rezultatet e PISA-s, do të mund të thyejmë rekorde duke u bërë populli i vetëm në botë me 100% analfabetizëm funksional”.