Organizata për rritjen e cilësisë në arsim (ORCA) ka verifikuar se komisionet vlerësuese të fakulteteve kanë rekomanduar për avancime në thirrje të ndryshme akademike në s’përputhje me rregullativën në fuqi 15 kandidatë nga Fakultetit i Inxhinierisë Mekanike dhe nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë.
Kandidatëve të cilët nuk kanë pasur mjaftueshëm punime në revista shkencore ndërkombëtare, u janë vlerësuar si punime shkencore prezantimet në konferenca ndërkombëtare apo punime në revista potencialisht mashtruese.
“Për këtë situatë të krijuar mbajnë përgjegjësi anëtarët e komisioneve vlerësuese të fakulteteve të cilëve u është bërë e ditur mjaft mirë përgjegjësia për përmbajtjen e tabelave që ata kanë hartuar. Citojmë nga formularët e plotësuar: ‘Anëtarët e Komisionit vlerësues mbajnë përgjegjësi ligjore dhe etike lidhur me punimet e radhitura në këtë tabelë’”, thuhet në njoftimin e ORCA.
“5 kandidatët Salih Salihu, Mufail Salihaj, Azem Kyçyku, Mirlind Bruçi dhe Xhevat Berisha, në mbledhjen e mbajtur më 31 janar 2017,Senati i ka kthyer për shqyrtim në Këshillat e Fakulteteve në përputhje me rregullativën në fuqi. Këta janë vlerësuara negativisht nga ORCA”, thuhet në njoftim.
“6 kandidatë nuk kanë kaluar: Ahmet Shala, NaserLajqi, Nexhat Qehaja, Ramë Likaj, Rexhep Selimaj, Kurtesh Sherifi. Këta janë vlerësuar negativisht nga ORCA”.
Ndërsa, 4 kandidatët Vahid Avdiu, Ylber Limani, Ramadan Mazrekaj dhe Bedri Dragusha të cilët kanë problem të ngjashme në përmbushjen e kritereve, janë aprovuar për thirrje akademike nga Senati.
“Te rasti i Ramadan Mazrekajt situata është edhe më e disfavorshme për të, sepse nuk e ka rekomanduar për thirrje as komisioni vlerësues i fakultetit të tij, por senati ia ka aprovuar avancimin. Pra, për arsye të panjohura zyrtare dhe duke mos zbatuar dispozitat ligjore, këta persona Senati i ka avancuar në thirrje të ndryshme akademike”, thuhet në njoftim.
Kriteret dhe metodologjia për avancimet akademike në UP
Lidhur me avancimet, procedurat rregullohen me “Rregulloren e Procedurave Vlerësuese për Zgjedhjen dhe Avancimin e Personelit Akademik në UP” në nenin 5, 6 dhe 7 ku përcaktohen qartë kriteret për avancime. Kjo rregullore plotësohet më tej nga një rekomandim i posaçëm i Senatit të UP, i cili detajon kushtet që duhet të përmbushin revistat shkencore ku publikohen punimet e vlefshme për avancim të stafit akademik. Këto dokumente derivojnë prej Statuti të UP, i cili trajton avancimet akademike në nenet 175, 176, 177.
Në këto dy dokumente thuhet se: Për thirrjen në profesor asistent duhet 1 punim në revista shkencore ndërkombëtare; Për thirrjen në profesor të asocuar duhen 3 punime revista shkencore ndërkombëtare; Për thirrjen në profesor të rregullt duhen 5 punime revista shkencore ndërkombëtare.