ORCA dhurata simbolike për Nagavcin, i kërkon vetingun në Arsimin e Lartë

Prishtinë | 14 Pri 2021 | 16:19 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesit e ORCA-s Rron Gjinovci dhe Gramos Buçinca u pritën nga Ministrja e Arsimit znj. Arbërie Nagavci dhe Zv. Ministri Dukagjin Pupovci.

Përfaqësuesit e ORCA-s përgëzuan Ministren dhe Zv. Ministrin për detyrat e pranuara dhe i ofruan mbështetje Ministrisë në avancimin e transparencës, llogaridhënies, integritetit në arsim e në Arsimin e Lartë në veçanti.

Meqë takimi ndodhi në muajin e Ramazanit, përfaqësuesit e ORCA-s i dhanë Ministres një gravurë me një pjesë nga Kurani, An-Nisa (nga arabishtja: Gratë) ku theksohet detyrimi i besimtarëve për të dëshmuar të vërtetën edhe kur ajo mund të jetë kundër vet atyre. Me këtë ORCA i kërkoi Ministres që të ndjekë shembullin e koleges së saj në Ministrinë e Drejtësisë e të fillojë vetingun në Arsimin e Lartë, ku si parim do të ndiqej mësimi nga Surja An-Nisa, pra që e vërteta për integritetin e stafit akademik të dalë në publik pavarësisht partive nga vijnë pjesëtarët e stafit akademik.

Përfaqësuesit e ORCA-s përmes dhurimit të një pende të argjendtë të punuar me dorë, si simbol i dijes, i mësimit e i të shkruarit, i uruan Ministres Nagavci fat dhe i kërkuan angazhim të shtuar në hartimin e ligjit të ri për Arsimin e Lartë dhe ligjin për Agjencinë e Akreditimit, të cilat ligje paraardhësit e Ministres Nagavci për disa vite me radhë nuk arritën t’i bënin. Po ashtu u theksua nevoja për hartimin dhe avancimin e udhëzimeve administrative e rregulloreve, në mungesë të të cilave ndodhin keqpërdorime masive të cilat dëmtojnë rëndë cilësinë e arsimit, e në veçanti rregulloret për parandalimin e ngacmimeve seksuale në mungesë të të cilave institucionet publike të arsimit janë shndërruar në strehë të ngacmuesve e arenë ngacmimesh për vajzat dhe gratë e shoqërisë sonë.

ORCA mbetet e përkushtuar në monitorimin e institucioneve të Arsimit të Lartë dhe do të vazhdojë të ngrisë në publik shqetësimet për mungesën e integritetit akademik, transnaprencës e llogaridhënies nga institucionet publike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme