ORCA: Emërimi i anëtarëve të rinjë është “Kali i Trojës” në UP

Prishtinë | 15 Maj 2020 | 11:23 | Nga Ekonomia Online

ORCA është jashtëzakonisht e shqetësuar me vendimin e fundit të Ministres Hykmete Bajrami, e cila ka emëruar 3 anëtarë të rinj në Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës. Së pari, shkarkimi i anëtarëve të deritashëm dhe emërimi i anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues vjen në mes të procesit zgjedhor të Universitetit, ku pritet që brenda një muaji tëzgjedhet rektori/ja i/e Universitetit të Prishtinës. Së dyti, dy anëtarë të emëruar nga Ministrja Bajrami, Fisnik Reçica dhe Mentor Geci figurojnë si punëtorë në dy kolegje private,në kolegjin RIINVEST dhe respektivisht në kolegjin UBT.

Këto të dhëna ORCA i ka siguruar nga profilet e tyre profesionale (LinkedIn). Ky veprim përbën konflikt të hapur të interesit përmes të cilit punëtorë të kolegjeve private do ta drejtojnë universitetin publik i cili shihet si rivali kryesor i kolegjeve private në biznesin e tyre. Për më tepër, anëtarët e Këshillit Drejtues kanë qasje në secilin informacion konfidencial të mundshëm të Universitetit të Prishtinës, duke përfshirë planifikimet e mundshme për të konkuruar me të gjitha institucionet tjera të arsimit të lartë, publike e private. Vendosja në krye të universitetit, e njerëzve që rrogën primare e marrin në institucionet konkurrente private të arsimit të lartë,ështëskandaloze, për më tepër dorëzim i qëllimshëm i interesit publik në duart e interesave private. Kjo përbën futjen e “Kalit të Trojës” në Universitetin e Prishtinës.

ORCA i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta shfuqizojë vendimin për emërimin e këtyre dy anëtarëve dhe të sigurojë një proces transparent emërimesh në bordet që lidhen me arsimin. Këshillet Drejtuese të universiteteve publike duhet të fuqizohen me emra eminentë të botës akademike e shkencore, apo të ndonjë fushe tjetër me rëndësi për jetën universitare, dhe kurrsesi me emra anonimë që nuk njihen për asnjë arritje domethënëse në çfarëdo fushe që lidhet me arsimin e lartë.

ORCA kërkon me forcë që partitë t’i mbajnë larg duart nga Universiteti i Prishtinës, për pavarësinë e të cilit prej vitit 1981 e deri sot, qytetarët, studentët, aktivistët, mediet dhe shumë hisedarë të tjerë kanë luftuar pa u kursyer. Duke thënë këtë ju kujtojmë të gjitha partive se Universiteti mbetet vija e kuqe të cilën nuk lejojmë ta kaloni dhe se ORCA është duke u angazhuar që të përdor të gjitha mjetet e parapara demokratike për të mos lejuar kapjen e tij nga kushdo qoftë.

Të ngjashme