Organizata për Cilësinë në Arsim (ORCA) ka protestuar kundër ndërhyrjeve politike në pavarësinë e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, raporton EkonomiaOnline.
Gramoz Buqinca nga organizata ORCA tha se është i papranueshëm presioni që kryeministri Haradinaj po i bën Këshillit Shtetëror të Cilësisë.
Ai tha se më kredibil është KSHC-ja se sa Kryeministri, ngase 76 deputetë e kanë votuar këtë këshillë.
“Por meqë në Kosovë kryeministri është i sporteve të rënda,sipas të gjitha gjasave shumë i fortë,meqë ai mendoj ashtu atëherë ne jemi munduar t”ia përkthejmë gjuhën e ligjeve dhe kushtetutës në gjuhën të cilën ai e kupton. 61 deputetë, përfaqësues të popullit të Kosovës e kanë votuar Kryeministrin. 76 deputetë, përfaqësues të popullit të Kosovës e kanë Këshillin Shtetëror të Cilësisë. Ma i fortë politikisht moralisht është Këshilli i Cilësisë”, tha ai.
ORCA thotë se Ligji për Agjencitë e Pavarura e njeh Agjencinë e Kosovës për Akreditim si institucion të pavarur në të cilin qeveria nuk mund të ndërhyjë.
Paralajmëroi padi për kryeministrin Haradinaj dhe të të gjithë ata që ushtrojnë presion politik mbi këtë institucion.
Ligji për Arsimin e Lartë e njeh Agjencinë e Kosovës për Akreditim si të vetmin institucion që merret me çështjet e akreditimit. Në rast se Kryeministri dhe Ministria e Arsimit provojnë të venë dorë mbi Agjencinë e Kosovës për Akreditim ne do t’i padisim për keqpërdorim të detyrën zyrtare, sepse nga ligji në fuqi është e qartë që Kryeministri dhe Ministria e Arsimit nuk janë autoritete që mund të vendosin për çështjet e akreditimit.
Përveç kësaj ORCA thotë se çdo ndërhyrje e Kryeministrit dhe Ministrisë të Arsimit nga sot e tutje do të pritet me protesta.