ORCA: Skandali i diplomave të rrejshme të adresohet në hetuesi

Prishtinë | 05 Gus 2019 | 21:19 | Nga Ekonomia Online

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka shprehur shqetësimim për situatën e krijuar së fundmi, ku del se mijëra diploma të mijëra studentëve të lëshuara nga institucione të ndryshme të arsimit të lartë nuk janë në përputhje me ligjet në fuqi.

Për më tepër ORCA sheh kryerje të veprave penale nga ana e institucioneve të arsimit të lartë të cilat me shumë gjasë i kanë mashtruar studentët duke marrë para nga ta, ndërkohë që nuk i kanë dorëzuar regjistrat e të dhënave të studentëve tyre në MAShT siç parashihet me legjislacionin në fuqi. Kësisoj, mijëra diploma të lëshuara nga këto institucione nuk kanë bazë për t’u njohur në Kosovë apo jashtë saj.

“Mosdorëzimi i regjistrave në afatet e parapara ligjore mund të duket si një formalitet i parëndësishëm, por në fakt është pjesa që konfirmon vërtetësinë e kohëzgjatjes së studimeve, programeve të ndjekura dhe çështjeve të tjera me rëndësi për dëshmimin e ndjekjes së studimeve”, thuhet në një komunikatë të kësaj organizate.

“Në këtë situatë ORCA i bën thirrje organeve të hetuesisë që të veprojnë me shpejtësi në identifikimin e shkelësve dhe vendosjen e tyre para drejtësisë”.

Nga ana tjetër, ORCA i bën thirrje studentëve viktima të këtij mashtrimi t’i drejtohen organeve të hetuesisë apo gjyqësisë duke ushtruar padi dhe kallëzime penale për institucionet që i kanë mashtruar ata.

“ORCA pret nga MAShT që ta informojë publikun me të dhëna zyrtare se për cilat institucione bëhet fjalë e po ashtu pret që MAShT t’i ushtrojë kompetencat e saj në përputhje me ligjin dhe t’ua tërheq licencat të gjitha institucioneve të përfshira në këtë mashtrim. Po ashtu, përfshirja e mundshme e zyrtarëve të MAShT duhet të adresohet nga vet Ministria te organet e hetuesisë si dhe në procedura disiplinore brenda saj”.

ORCA thotë se mbetet e përkushtuar dhe e fokusuar për ta hetuar këtë rast deri në fund ndërkohë që po përcjell me vëmendje veprimet e të gjitha palëve, sidomos ato të institucioneve relevante.

Në fund, ORCA bën thirrje për kujdes të prindërve dhe nxënësve në zgjedhjen e institucioneve për kryerjen studime.

Të ngjashme