Lirimi i 20 pengjeve izraelite pritet të nisë mëngjesin e së hënës, 13 tetor. Hamas ka konfirmuar se përgatitjet kanë përfunduar dhe se lirimi i tyre do të realizohet në tre lokacione të ndryshme në Rripin e Gazës.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit të arritur mes palëve, Hamasi është i detyruar të dorëzojë të gjithë pengjet e gjalla, si dhe trupat e pengjeve të vdekura, vendndodhjet e të cilëve i di, deri në orën 12:00 të mesditës të së hënës.
Si shkëmbim, Izraeli do të lirojë 250 të burgosur palestinezë dhe 1,700 të ndaluar nga Gaza, përfshirë dhe dhjetëra fëmijë.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump do të niset mbrëmjen e sotme, 12 tetor, drejt Izraelit. Të hënën në mëngjes pritet të flasë përpara parlamentit izraelit dhe mendohet të takojë disa prej pengjeve që do të lirohen nga Hamasi, në një nga qendrat spitalore të pritjes.
Në Tel Aviv, qindra mijëra njerëz mbushën sheshet për të falenderuar Donald Trump për planin e paqes, që u kthen edhe pengjet e mbetur gjallë, ndërsa shprehën edhe zemërimin ndaj kryeministrit Netanyahu.
Trump më pas do të udhëtojë drejt Egjiptit, në Sharm El Sheik, për të marrë pjesë në samitin ndërkombëtar të paqes dhe për të firmosur zbatimin e marrëveshjes së plotë mes Izraelit dhe Hamasit.
Në këtë ceremoni janë të ftuar edhe krerët e 20 shteteve, si i Turqisë, Erdogan, presidenti francez, kryeministrat britanik dhe italian Meloni, si dhe liderët e vendeve arabe. Ndërsa mësohet se Irani e ka refuzuar ftesën për të marrë pjesë.