Organizatat e shoqërisë civile dënojnë dhunën ndaj protestuesve në Shtërpcë

Prishtinë | 09 Tet 2019 | 15:43 | Nga Ekonomia Online

Organizatat e shoqërisë civile kanë reaguar ndaj dhunës që shpërtheu mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Banorët e fshatit Biti e Poshtme kanë protestuar kundër ndërtimit të hidrocentraleve të vogla në lumin Lepenc, njofton Klan Kosova.
OJQ-të kanë thënë se reagimi i Policisë së Kosovës ndaj protestuesve është i papranueshëm dhe se secili qytetar ka të drejtën e protestës.

“Ne kërkojmë urgjentisht nga institucionet përgjegjëse që të adresohet kjo përgjegjësi për përdorim të tepruar të forcës policore. Përdorimi i dhunës gjatë ditës së djeshme tejkalon kufijtë e forcës së nevojshme për reagim nga policia, pasi që forcë e tepruar u përdorë edhe ndaj fëmijëve 7 muajsh, në krahët e nënave, e deri te të miturit 17 vjeçar”.

Reagimi i plotë:

Ne, organizatat e shoqërisë civile të listuara më poshtë, reagojmë ashpër dhe dënojmë dhunën e ushtruar nga Policia e Kosovës ndaj qytetarëve të Bitisë së Poshtme, të cilët po protestonin kundër ndërtimit të hidrocentraleve të vogla në lumin Lepenc, të cilat do të kenë ndikim të vazhdueshëm negativ në mjedisin jetësor dhe mirëqenien e banorëve të kësaj ane.

E drejta për të protestuar është e drejtë kushtetuese andaj protestat e qytetarëve në mbrojtje të lumenjve dhe ambientit jetësor janë të ligjshme dhe demokratike. Urdhri për intervenim të policisë ndaj protestuesve është sulm i drejtpërdrejtë ndaj parimeve demokratike dhe të drejtave të njeriut.

Qytetarët e komunës së Shtërpcës, pa dallim etnie, që nga viti 2015 vazhdimisht kanë protestuar për mbrojtjen nga veprimet e dëmshme ndaj resurseve ujore (lumenjve) në pellgun e lumit Lepenc, respektivisht devijimin e ujërave që rezulton në mungesë të tij për nevoja të bujqësisë, në rrezikshmëri të humbjes së ujit të pijes nga puset dhe bunarët, në rrezikshmëri më të lartë ndaj erozionit dhe vërshimeve, në humbje të mundësive për zhvillim social-ekonomik dhe mjedisor, etj. Këta qytetarë vazhdojnë të protestojnë sepse nuk ishin konsultuar fare gjatë fazës së planifikimit të hidrocentraleve edhe pse korniza ligjore ua garanton një gjë të tillë. Është e papranueshme që deri më sot, asnjë nga institucionet përgjegjëse nuk i ka trajtuar me seriozitet dhe sipas ligjit kërkesat e qytetarëve të asaj zone, dhe po ashtu as protestat e kërkesat e qytetarëve të Deçanit, Pejës e Kaçanikut.

Ne kërkojmë urgjentisht nga institucionet përgjegjëse që të adresohet kjo përgjegjësi për përdorim të tepruar të forcës policore. Përdorimi i dhunës gjatë ditës së djeshme tejkalon kufijtë e forcës së nevojshme për reagim nga policia, pasi që forcë e tepruar u përdorë edhe ndaj fëmijëve 7 muajsh, në krahët e nënave, e deri te të miturit 17 vjeçar.

I bëjmë thirrje Inspektoratit Policor të Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit që menjëherë të fillojnë procedurat hetimore kundër zinxhirit komandues dhe urdhërdhënësve për përdorimin e forcës së tepruar mbi fëmijët dhe qytetarët e Bitisë së Poshtme. Po ashtu ftojmë Prokurorin e Shtetit që të fillojnë me hetimin e të gjithë projektit për ndërtimin e hidrocentralit në fjalë por dhe hidrocentraleve të tjera në këtë lum.

Deri më tani, në Kosovë janë 13 hidrocentrale aktive, ndërsa planifikohen të ndërtohen edhe mbi 100 hidrocentrale të vogla, kryesisht në hapësira brenda parqeve nacionale. Institucionet kompetente: Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Zyra e Rregullatorit për Energji dhe komunat përkatëse deri më sot nuk kanë marrë asnjë veprim për të adresuar kërkesat dhe ankesat e qytetarëve dhe po ashtu nuk kanë ofruar asnjë argument ligjor dhe të qëndrueshëm për qytetarët dhe publikun në përgjithësi rreth ligjshmërisë së ndërtimit dhe operimit të këtyre hidrocentrale, duke e cenuar në vazhdimësi parimin e transparencës në vendimet që prekin interesin e përgjithshëm

Të ngjashme