Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD dhe Qendra për Barazi dhe Liri – CEL kanë shprehur qëndrimin e tyre që ndërlidhet me rregullimin e martesës dhe bashkëjetesës e që paraqet shkelje të të drejtave të njeriut për personat LGBTI në Kosovë.
Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore – CSGD dhe Qendra për Barazi dhe Liri – CEL konsiderojnë që Projekt-Kodi Civil shkel të drejtat për partneritet (martesë apo bashkësi jashtëmartesore) për personat LGBTI në Kosovë dhe pajtohet me interpretimin ligjor të Avokatit të Popullit Hilmi Jashari që po ashtu ka identifikuar shkeljet e njëjta të të drejtave të njeriut në ProjektKodin Civil.
Projekt-Kodi Civil definon martesën si bashkësi ligjërisht të regjistruar ndërmjet dy personave të sekseve të ndryshme. Po ashtu, definon që Burri dhe Gruaja, kanë të drejtën të martohen dhe të formojnë familje. Më tej, Projekt-Kodi Civil parasheh mundësinë e krijimit të bashkimeve tjera civile me një ligj të veçantë. Të gjitha partneritetet e mundshme (martesa apo bashkësia jashtëmartesore) duhet të rregullohen me Kodin Civil. Kjo çasje e të rregulluarit të partneriteteve tjera me ligje të veçanta, tenton të ndaj të drejtën për partneritet për personat LGBTI nga ato të qytetarëve të tjerë të Kosovës. Një çasje e tillë është shkelje fundamentale e të drejtave të njeriut të personave LGBTI në Kosovë, dhe nuk paraqet gjithëpërfshirjen e të drejtave të qytetarëve të Kosovës.
Ministria e Drejtësisë ka publikuar Projekt-Kodin Civil të Republikës së Kosovës. Përderisa Ministria e Drejtësisë ka përshkruar kodin si “një kod civil modern”, pas një shikimi të shpejt mund të kuptohet që ky draft lë shumë për t’u dëshiruar. Projekt-Kodi civil ka dështuar në sigurimin e njohjes ligjore të statutit të partneritetit të çifteve të sekseve të njëjta (të bashkësisë jashtëmartesore apo martesës) dhe i’a mohon këtyre përsonave të drejtën për të krijuar familje.
Mos rregullimi i partneritetit për çiftet e të njëjtit seks në Projekt-Kodin Civil nga grupi punues që është formuar nga Ministria e Drejtësisë, është çasje diskriminuese në bazë të orientimit seksual. Kushtetuta e Kosovës garanton të drejtën për martesë dhe krijimit të familjes. Është e qartë që në Kushtetutën e Kosovës nuk ka gjini të përcaktuar, që do të pengonte çiftet e seksit të njëjtë të martoheshin dhe të krijonin familje.
Më tej, Kushtetuta e Kosovës siguron edhe shtresa të tjera të mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut. Neni 24 i Kushtetutës – Barazia para ligjit garanton që çdo person gëzon të drejtën e mbrojtjes ligjore pa diskriminim duke përfshirë edhe orientimin seksual si bazë të mbrojtur. Kushtetuta lejon zbatueshmëri direkte të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore dhe të Protokolleve të saj në legjislacionin e brendshëm të Kosovës, dhe përcakon që në rast të konfliktit të dispozitave ligjore të mbizotëroj ato. Më tej, në pajtim me Nenin 53 të Kushtetutës së Kosovës, të drejtat themelore të njeriut duhet të interpretohen në harmoni me praktikat gjyqësore të Gjykatës Europiane për të Drejta të Njeriut. (“GJEDNJ”) Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka njohur bashkësinë e personave të seksit të njëjtë si partnerë në Konventën e të Drejtave të Njeriut në nenet lidhur me “Jetën e Familjes”. Gjithashtu, GJEDNJ ka dhënë një numër të konsiderueshëm të gjykimeve lidhur me obligimin pozitiv të shteteve për të njohur ligjërisht partneritetin e çifteve të seksit të njëjtë. Grupi punues ka dështuar të aplikoj praktikat e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe ka dështuar të draftoj legjislacion që është gjithëpërfshirës dhe jo-diskriminues në bazë të orientimit seksual. Është e qartë që Projekt-Kodi Civil përjashton persona nga e drejta për partneritet dhe e drejta për të krijuar familje në bazë të orientimit seksual. Si i tillë, është diskriminues dhe shkel Nenin 24 të Kushtetutes, që garanton barazi para ligjit dhe Nenin 37 të Kushtetutës, që garanton të drejtën për martesë dhe familje. Prandaj, Projekt-Kodi Civil duhet të përshkruhet në përputhje me obligimet e Kosovës për të siguruar të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët dhe duhet të siguroj njohje ligjore të çifteve të seksit të njëjtë.