Organizimi i Epopesë së UÇK-së: Qeveria e largon Komunën e Skenderajt, nisin pakënaqësitë

Prishtinë | 02 Mar 2024 | 10:00 | Nga Ekonomia Online

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për Themelimin e Këshillit Shtetëror për shënimin e 26-vjetorit të “Epopesë së UÇK-së” ka befasuar të gjithë. Kjo pasi në këshill nuk është përfshirë, për herë të parë, Komuna e Skenderajt, vendi ku organizohet manifestimi.

Qeveri nuk ka dhënë ndonjë shpjegim për vendimin në fjalë, ndërsa ekzekutivi është kritikuar për veprim të qëllimshëm.

Në përbërje të këshillit organizativ është përfshirë ministri Kulturës, Hajrullah Çeku, kryediplomatja Donika Gërvalla, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ministrja e Drejtësisë, Albulen Haxhiu, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari dhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ky i fundit, para se të bëhet ministër, kishte fyer rëndë veteranët e UÇK-së.

Në një postim të vitit 2018, Murati kishte ngritur paralele mes veteranëve të luftës dhe mercenarëve, duke kritikuar pensionet e kategorive të dala nga luta e UÇK-së.

“Bile edhe mercenarë me pas angazhu na kish dalë ma lirë -3 muaj ka 2 mijë euro bëjnë 6 mijë euro -20 mijë mercenarë (të pregatitun ushtarakisht) kishin me na kushtue veç 120 milion euro gjithsej. Edhe as falenderit s’kish pasë nevojë me ju thanë”, kishte shkruar Murati.

Vetëm pas një presionit të madh publik, Murati kishte kërkuar falje për fjalët e thëna.

Sqarimi i komunës

Komuna e Skenderajt ka dalë me një sqarim për vendimin e Qeverisë së Kosovës, ku ka njoftuar qytetarët se kjo është hera e parë që komuna përjashtohet nga Këshilli Organizativ për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila mbahet me 5, 6 dhe 7 Mars, me aktivitete të ndryshme në Prekaz dhe në qytetin e Skenderajt.

“Komuna e Skenderajt gjithmonë ka qenë pjesë e organizimit të Epopesë dhe me punë, angazhim e përgjegjësi të lartë ka kryer detyrat e saj për mbarëvajtjen sa më të mirë gjatë gjithë viteve të kaluara, duke treguar bashkëpunim të shkëlqyer me të gjitha qeveritë qendrore nën patronatin e të cilave organizohet ky shënim”, është thënë në sqarim.

Më tej, komuna ka treguar se më 26-vjetorin e shënimit të luftës së familjes Jashari ndaj forcave serbe do të shënohet me aktivitete të ndryshme.

“Epopeja e UÇK-së është ndër ngjarjet më madhështore e cila gjithmonë dhe çdoherë ka personifikuar unitetin, afrimin dhe mirëkuptimin e të gjithë shqiptarëve dhe asesi përqarjen e përjashtimin. Përkundër kësaj, Komuna e Skenderajt do të vazhdojë që këtë ngjarje ta shënojë me aktivitete të shumta sipas agjendës zyrtare, e cila do të publikohet të premten në faqen zyrtare të Komunës, në rrjete sociale dhe në media”, është thënë në sqarimin e komunës.

Kritikohet Qeveria

Largimi i Komunës së Skenderajt nga këshilli organizativ i kësaj ngjarje ka nxitur edhe reagimin e deputetëve opozitarë nga Komuna e Skenderajt.

Ata kanë vlerësuar se një veprim i tillë është i qëllimshëm.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka thënë se ky është një veprim tjetër që tregon për diskriminimin e kësaj komune nga Qeveria e Kosovës.

“Vetëm në regjimin i e Mollosheviqit dhe në regjimin e Kurtit bëhet largimi i kësaj komune nga çdo organizim i mundshëm. Gjithmonë anashkalohet. Deri në barna esenciale e ka neglizhuar komunën e Skenderajt. E ke parasysh, barna esenciale me të cilat trajtohen fëmijët, të rinjtë dhe të moshuarit, as 30 për qind nuk ua ka dorëzuar”, ka thënë ajo në emisionin “Pressing”.

Edhe deputeti tjetër i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka shprehur indinjatën e tij për këtë veprim të Qeverisë.

“Kjo është një përpjekje e turpshme e qeverisë me e ndryshu historinë. E pamë edhe me rastin e 17 Shkurtit, nuk mund të ndryshohet historia. Ajo është shkruar një herë. Ka marrë pjesë kush ka marrë, më nuk mund të ndryshohet. Nuk është asnjë zyrtar i Komunës së Skenderajt”, ka thënë ai.

Sipas tij një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë.

“Asnjëherë nuk ka ndodhur që në këshillin për organizimin e Epopesë të mos jetë asnjë anëtar i Komunës së Skenderajt. Organizimi bëhet në Skenderaj dhe Prekaz. Është e turpshme çka ka bërë qeveria”, ka thënë Haxhiu.

Analisti i përhershëm i emisionit “Pressing” ka pyetur se mos kjo ka qenë kërkesë e familjes Jashari. Por, deputeti Haxhiu, i cili njihet për afërsinë me familjen Jashari, ka mohuar një gjë të tillë.

“Se nuk është kërkesë e familjes po ta heq unë këtë dilemë. Ju e dini se unë publikisht e kam përkrahur Bekim Jasharin si kandidat për kryetar të Komunës. Nuk qëndron kjo fare”, ka thënë Haxhiu.

Deri më tani, Qeveria nuk ka dhënë asnjë sqarim se pse ka ndodhur një gjë e tillë.

Në vendimin që është marrë më 27 shtator të vitit të kaluar, thuhet se Këshillit Shtetëror do të merret me shënimin e 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, 25-vjetorin të Çlirimit të Kosovës dhe 16-vjetorit të Pavarësisë.

Të ngjashme