Mungesa e ujit të pijes, infrastruktura e keqe dhe papunësia, kanë ndikuar që banorët e Orllanit dhe të fshatrave përreth të migrojnë në zonat urbane.
Nga 3200 banorë sa kanë qenë në vitin 2002, deri në vitin 2016 ky numër ka rënë në 1600.
Nga të gjeturat e studimeve që ka bërë “Ojq Sundimi i Demokracisë së Kosovës” arsyeja kryesore që ka ndodhur migrimi ka qenë mungesa e ujit të pijes, raporton Ekonomia Online.
Në Orllan janë 80 shtëpi dhe këto asnjë nuk kanë furnizim me ujë të pijes dhe qëndrimi i banorëve nuk është i përhershëm.
Sipas hulumtimeve që SDK ka bërë del se 1600 kanë migruar dhe sipas këtyre të gjeturave 10 deri 15 familje migrojnë gjatë viti dhe arsyeja e migrimit janë papunësia infrastruktura dhe me theks të veçantë uji i pijes.
Prandaj në tryezën e organizuar sot pikërisht në Orllan u kërkua që banorët e këtyre zonave të kyçen në rrjetin e ujit të pijes, në mënyrë që trendi i migrimit të ndalet.
Rexhep Zeka, nga kjo organizatë, tha se numri i banoreve te këtyre fshatrave sipas disa statistikave ka qenë 3200 dhe ky numër tanimë ka rënë 1600 për shkak të migrimit.
“Migrimi ka ndodhur për shkak të mungesës së ujit të pijes. Në disa vende që përdorët uji i pijes dhe në bazë të analizave ka dal se ky ujë nuk është i pijshëm. Në disa shkolla, uji që përdoret për pije është jo i pijshëm”, tha ai.
Zëvendësministri i MMPH-së, Mendim Rugova, tha se Qeveria është e përcaktuar për zhvillim të qëndrueshëm dhe se e drejta për shfrytëzim të ujit të pijshëm është themelore e çdo qytetari të Kosovës.
“Niveli komunal ka një ndikim në avokimin direkt të kërkesave të banorëve. Ujësjellësi Rajonal ‘Prishtina’ e ka për obligim moral që t’i kyçë edhe këto fshatra në rrjetin e saj të ujësjellësit”, tha ai.
Përfaqësuesi i banorëve të Orllanit tha se që nga paslufta i ka përcjell ky problem. “Në vitin 2005 është bë analiza e ujit ne i kemi ftuar të gjithë kryetarët e komunave që e shfrytëzojnë ujin e Orllanit. Atëherë kemi kërkuar nga ta që të na ndihmojnë që edhe ne të kyçemi në rrjetin e ujit të pijes” tha ai.
Ai kërkoi nga ministria, por edhe komuna që këtë problem ta zgjidhin brenda vitit.