Vergil Ortiz Jr. ka dëshmuar talentin e tij të madh në boks. Ortiz të shtunën mbrëma në Fort Worth në SHBA mposhti me nokaut teknik në raundin e shtatë ish-kampionin e botës Maurice Hookerin.
Dueli ishte i vlefshëm për titullin WBO International në peshën velter. Ortiz Jr 22-vjeçar dominoi përballjen, duke e fituar edhe duelin e tij të 17-të në boksin profesionist. Të gjitha duelet i ka fituar me ndërprerje.
22-vjeçari pas fitores ka kërkuar përballje me superyllin e boksit Terence Crawford .
“Do të doja këtë rast. Crawfordi është ndoshta numër një në botë në boks profesionist dhe do të ishte mundësi e madhe po të më ofrohej përballja me të”, ka thënë Ortiz Jr për “DAZN”.
Hooker ka pësuar humbjen e dytë në boks profesionist, karshi 27 fitoreve e tri barazimeve.