Barcelona është në rrezik për ta humbur me rezultat zyrtar ndeshjen ndaj Osasunas, për shkak të thyerjes së rregullave të FIFA-s.
Pasi ligat vazhduan pas ndeshjeve të përfaqësueseve, Barcelona të enjten mbrëma e fitoi ndeshjen e mbetur të xhiros së 27-të të La Ligas ndaj Osasunas, 3:0.
Barça pritej të ishte pa Inigo Martinezin, pasi 33-vjeçari u tërhoq nga detyra te Përfaqësuesja e Spanjës për shkak të një lëndimi.
Megjithatë, Martinezi luajti 90 minuta të enjten mbrëma në fitoren e Barçës, të arritur me golat e Ferran Torresit, Dani Olmos dhe Robert Lewandowskit.
Osasuna ka bërë ankesën të premten.
Rregullorja e FIFA-s thotë se nëse një lojtar tërhiqet nga detyra me përfaqësuese, ai nuk ka të drejtë të luajë për klubin e vet të paktën pesë ditë pas ndeshjes së fundit të pushimit ndërkombëtar.
Fitorja e së enjtes nga Barcelona erdhi katër ditë pasi Spanja e mposhti Holandën dhe shkoi në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve.