Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të katër anëtarëve të Misionit të saj Special të Monitorimit (SMM) në Ukrainë, të cilët janë ndaluar në zonat Donetsk dhe Luhansk.
“Arrestimi i anëtarëve të misionit kombëtar SMM në Donetsk dhe Luhansk është i papranueshëm dhe ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tyre,” tha në një deklaratë të dielën vonë, kryetari i OSBE-së, Zbigniew Rau.
OSBE njoftoi se disa nga anëtarët e stafit të saj janë ndaluar të shtunën, por nuk ka konfirmuar publikisht se kush është përgjegjës për ndalimin e tyre, megjithatë zonat e Donetskut dhe Luhanskut kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia.
Të hënën, një zëdhënës i OSBE-së i tha CNN se “ende po punonin për të siguruar lirimin e stafit të misionit të tyre”, shkruan CNN.