Zëvendësambasadori i OSBE-së në Shqipëri është një zotëri, i cili quhet Robert Wilton. Gjatë një takimi me të rinj në Shkodër ai tha: “Ka patur probleme me shitblerjen e votës: Po! A mund të ndryshonin këto rezultatin e zgjedhjeve: Jo! A është vetëm një subjekt me këto probleme: Jo! Votuesit kanë patur mundësi për të shprehur zgjedhjen e tyre, pasi e kanë vetë në dorë. Ndoshta për dikë 50 lekë janë mjaftueshëm, por nuk i blen vetëm një subjekt…”.
Zoti Wilton me kaq i lau duart si Pilati, por në të njëjtën kohë na ka treguar një të vërtetë këlthitëse: Në zgjedhjet e fundit janë blerë votat dhe këtë OSBE e di, madje nuk i rreh shumë, sepse rezultati sipas saj nuk ndryshon.
OSBE-ODHIR janë gjyqtarët e zgjedhjeve. Ata duhet të ngrejnë flamurin e kuq, kur vënë re paregullsi, jo më blerje votash që edhe sipas ligjit shqiptar dënohet me burg. Meqë këto kohë pushteti i ka për zemër krahasimet me futboll, i bie që megjithëse një ndeshje është duke u fituar 2 me 0, gjyqtari mos ta japë një 11 metërsh, sepse kjo në fund nuk e ndryshon fitoren. Ky është një tmerr politik, i cili vërteton më së miri dëshpërimin e opozitës, konsumimin e saj të të gjitha rrugëve politike (njëra prej të cilave është dhe ankimimi tek OSBE-ja).
Ambasadori i OSBE-së këto ditë ka dalë gjyqtar-tifoz i Rilindjes, por problemi qenka tek e gjithë përfaqësia në Tiranë. Të dish që janë vjedhur votat nuk ka si të flesh natën dhe natyrisht nuk është bar qetësues se kush do i fitonte zgjedhjet në fund.
Puna e OSBE-së është ta vëzhgojë problemin dhe ta shpallë atë, jo ta fshehë, meqë nuk ndërron fitorja, sepse nuk është palë në garën politike për pushtet.
Le ta marrim si të vërtetë atë që thotë zoti Wilton, sipas të cilit fitorja nuk do të kishte ndryshuar. Po mirë, fitorja do të ishte kaq e thellë me 70 e kusur mandate? Mund të ishte sërish fitore me 65 mandate ku i dihet dhe me këtë rast tepsinë do të kërkonin ta ndanin. Për pasojë, kjo qeveri nuk do të kishte mundësi të jepte kaq PPP, të bënte male me drogë, të ngrinte taksat, të linte fermerët pa asnjë skemë kompesimi, t’ua maste kokën me pe studentëve e kështu me radhë.
Shqipëria mund të ishte një vend më normal, pa opozitë që digjte mandatet, sepse nuk ia vinte në pullë askush, mes të cilave as zyra e zotit Wilton.
Nuk po thotë kush që në vitin 2017 Partia Socialiste nuk i fitonte zgjedhjet, bëhet fjalë për vjedhjen e mandateve që i dha asaj mundësi të bëjë qeveri mono si në kohët e dikurshme.
Nëse do të ishte diku gjetkë zoti Wilton, tani do e kishte përgënjeshtruar deklaratën e tij dhe do jepte dorëheqjen. Do ikte nga Shqipëria, së bashku me shefin e vet, i cili del të ketë qenë në dijeni dhe ka heshtur si peshku në ujë. Përndryshe, opozita së bashku me një qeveri tranzitore për përgatitjen e zgjedhjeve të reja, duhet të kërkojë gjyqtarë të rinj që t’i garantojnë këto zgjedhje.
Dhe në fund, lind natyrshëm pyetja: Pse gjithë zogjve të gomarit u bie të marrin rroga në Shqipëri? Por, kjo është një pyetje që në Shkodër dikur nuk i jepte dum as patër Gjergj Fishta. (27.al)