OSBE-ja, e shqetësuar me disa aspekte të Ligjit të ri për KPM-në

Prishtinë | 11 Kor 2024 | 15:26 | Nga Ekonomia Online

Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me disa prej aspekteve të miratimit të sotëm të ligjit të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) nga Kuvendi i Kosovës.

Në reagim, OSBE-ja thotë se KPM-ja ka rol kyç në kuadrin rregullativ të mediave të Kosovës.

“Aftësia për operim të pavarur dhe profesional ka qenë çelës i besueshmërisë dhe autoritetit të saj. Për këtë qëllim, ekspertët ndërkombëtarë të së drejtës së medias, në emër të Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian dhe OSBE-së, kanë paraqitur rekomandime të detajuara për përafrimin e ligjit me standardet ndërkombëtare. Megjithatë, për fat të keq, shumica e këtyre rekomandimeve nuk janë pasqyruar në ligjin e miratuar”, ka thënë misioni i OSBE-së në Kosovë.

Rekomandimet kryesore të ekspertëve që nuk janë marrë parasysh, OSBE-ja thotë se kanë nxitur shqetësime rreth dispozitave të reja të cilat do të kenë ndikim në përbërjen, rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së, si dhe në procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj dhe kushtet e shërbimit për të zgjedhurit.

Po ashtu, thuhet se nuk janë marrë parasysh as rekomandimet për rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së gjatë fushatave zgjedhore.

“Shtrirja e kompetencave të KPM-së në mediat sociale, shoqëruar me mungesën e kritereve të qarta për bllokimin e përmbajtjeve të dëmshme, ngre shqetësime për proporcionalitetin dhe mund të ketë implikime për lirinë e shprehjes. Janë bërë disa përpjekje për t’i rishikuar disa dispozita për të arritur qartësi juridike dhe për të futur masa mbrojtëse procedurale, por ende mungojnë mekanizmat efektivë të vetërregullimit në ligj”.

OSBE thotë se ndonëse e mirëpret miratimin e rregulloreve në lidhje me pronësinë dhe përqendrimin e medias, “konsiderojmë se, ashtu siç janë hartuar tani, u mungon qëndrueshmëria procedurale”.

Ekspertët ndërkombëtarë, thotë më tej reagimi i OSBE-së, kanë paraqitur komentet dhe rekomandimet e tyre në përpjekje për të siguruar që ky ligj i ri jo vetëm që do të pasqyronte standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira, por edhe do t’i shërbente qëllimit, do të forconte Komisionin e Pavarur të Mediave dhe do të ruante pavarësinë tejet të rëndësishme të këtij organi.

Misioni i OSBE-së thotë se vazhdon të mbështesë me përkushtim Kosovën në përafrimin e legjislacionit të saj me standardet më të larta ndërkombëtare.

Thotë po ashtu se është me rëndësi që ligji i sapomiratuar t’i nënshtrohet një shqyrtimi gjithëpërfshirës, ​​gjatë të cilit duhet të kërkohen pikëpamjet e ekspertëve kosovarë dhe ndërkombëtarë.

“Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm, si gjithmonë, të mbështesim KPM-në me këshilla të ekspertëve dhe ngritje të kapaciteteve”, ka thënë Misioni i OSBE-së në Kosovë.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar sot pro Ligjit të ri të KPM-së.

Projektligji në fjalë ka hasur në kritika të shumta nga faktori i brendshëm, por edhe ai ndërkombëtar. /Klankosova.tv

Të ngjashme