Bordi i Organit Shqyrtues të Prokurimit në takimin e mbajtur me 22 tetor 2018, përmes një reagimi ka shprehur indinjatën ndaj reagimeve që i bëhen punës së tij nga operatorë ekonomikë, transmeton Koha.net.
Në reagimin e OSHP-së thuhet:
Organi Shqyrtues i Prokurimit shpreh shqetësimin lidhur me presionet publike dhe kampanjat denigruese të inicuara nga operatorë të caktuar ekonomikë kundër anëtarëve të caktuar të OSHP-së dhe vetë OSHP-së si institucion, e që ndërlidhet me punët zyrtare që OSHP i kryen në bazë të procedurave dhe rregullave të bazuara në ligjin e aplikueshëm në Republikën e Kosovës.
OSHP-ja është organ i pavarur shqyrtues dhe ushtron autoritetin, kompetencat, funksionet dhe përgjegjësitë e përcaktuara me ligj. Për më tepër të gjitha vendimet e nxjerra nga OSHP mund të shqyrtohen nga gjykata kompetente në pajtim me ligjin për shqyrtimin gjyqësor të çështjeve administrative.
OSHP publikisht reagon ndaj presioneve publike dhe kampanjave denigruese ndaj institucionit të OSHP-së, përmes sponsorizimit të kampanjave denigruese dhe shpërndarjes së informatave të pavërteta lidhur me çështje që janë trajtuar nga OSHP.
Për OSHP-në, veprimet e tilla janë të patolerueshme dhe ato duhet të merren seriozisht nga institucionet kompetente në Kosovë. Veprime të tilla cenojnë rëndë pavarësinë e OSHP-së dhe sigurinë individuale të anëtarëve të OSHP-së.
Ftojmë institucionet kompetentë në Kosovë, që në bazë të Kushtetutës dhe ligjit të sigurojnë ambient të sigurte dhe pa presione për punën e OSHP-së, thuhet në reagim.