Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP), tek pasi ka hapur ofertat e ka kuptuar që specifikimet teknike në tenderin për furnizim me pajisje të teknologjisë informative i ka bërë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.
Për këtë arsye edhe ka marrë vendim që ta anulojë këtë procedurë, vlera e paraparë e së cilës ka qenë 9 milionë euro, shkruan sot “Koha Ditore”.
Por vendimin për anulim e ka kundërshtuar Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP). Kjo pasi që ka marrë vendim për anulim të vendimit të AQP-së, me të cilin ishte anuluar tenderi, dhe procedurën e ka kthyer në rivlerësim.
Këtë vendim OShP-ja e ka marrë pasi i ka shpallur si pjesërisht të bazuara ankesat operatorit ekonomik, “Infosoft Systems”, atij “Novus”, operatorit ekonomik “PBC”, si dhe ankesën e operatorit ekonomik “Botek”.
Sipas panelit shqyrtues të OShP-së, nëse specifikimet teknike do të ishin në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik dhe Rregullat dhe Udhëzuesin Operativ të Prokurimit Publik, atëherë ky fakt do të duhej të evitohej gjatë fazës së njoftimit për kontratë dhe jo vetëm pasi të jenë hapur ofertat.