Komisioni vlerësues i Shërbimin Korrektues të Kosovës (ShKK), në tenderin me titull: “Furnizim me uniforma për stafin e ShKK-së, lot 2, furnizim me mbathje (çizme, këpucë, e të tjera)”, mostrat e ofertuara nga operatorët ekonomikë i ka vlerësuar vetëm në mënyrë vizuale.
Duke u bazuar veç në vlerësim vizual e ka eliminuar nga procedura edhe operatorin ekonomik “Grami” shpk-Prishtinë, ankesa e të cilit është shpallur si pjesërisht e bazuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP), shkruan sot “Koha Ditore”. Kjo është arsyeja që OShP-ja ka anuluar njoftimin për dhënie të kontratës për këtë lot të tenderit, vlera e paraparë e të cilit është 145 mijë euro.
“Aprovohet pjesërisht si e bazuar ankesa e operatorit ekonomi: ‘Grami’shpk-Prishtinë, lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull: ‘Furnizim me uniforma për stafin e Shërbimin Korrektues të Kosovës lot 2 furnizim me mbathje (çizme, këpucë, e të tjera)’ me numër të prokurimit 33600-19-3939-1-1-1, të iniciuar nga Autoriteti Kontraktues Shërbimi Korrektues i Kosovës”, thuhet në vendimin e OShP-së, të datës 19 të këtij muaji, i cili është publikuar të mërkurën më 20 nëntor.
Bazuar në vlerësimin vizual, tenderi i ishte dhënë kompanisë “Solid” Sh.P.K – Suharekë. Por i njëjti është anuluar dhe lënda është kthyer në rivlerësim. “Anulohet njoftimi për dhënie të kontratës, lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull: ‘Furnizim me uniforma për stafin e Shërbimin Korrektues të Kosovës lot 2 furnizim me mbathje (çizme, këpucë, e të tjera)’ me numër të prokurimit’ 33600-19-3939-1-1-1, të iniciuar nga Autoriteti Kontraktues Shërbimi Korrektues i Kosovës, dhe për lotin që është parashtruar ankesa lënda kthehet në rivlerësim”, thuhet në vendimin e gjykatës së tenderëve.