Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) e ka urdhëruar Agjencinë Qendrore të Prokurimit (AQP) që brenda pesë ditësh ta zbatojë vendimin paraprak, që kompaninë “Premium Bakery” ta shpallë të përgjegjshme.
Ky institucion kishte vendosur që oferta e “Premium Bakery” tenderin furnizim me artikuj ushqimorë, kategoria 5 – furnizim me bukë dhe brumëra të tjerë, të merret si e përgjegjshme, pasi që referencat e ofruara nga kjo kompani kanë kapur periudhën e paraparë në Dosjen e tenderit dhe se natyra e punës nuk është e bazuar në qarkullime vjetore e mujore, por ditore, shkruan sot “Koha Ditore”.
Paneli shqyrtues, pas analizimit dhe vlerësimit të të gjitha provave dhe fakteve të paraqitura në ankesën e kompanisë në fjalë, kishte konstatuar se AQP-ja ka bërë shkelje të neneve 1, 6, 52, 59, 72 dhe 108 të Ligjit të prokurimit publik, si dhe Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik (RRUOPP), si dhe nuk ka zbatuar vendimin e panelit.
Kompania “Premium Bakery” në ankesën e saj ka pretenduar se ka ofruar referencat e prezantuar në dosjen e tenderit me “Viva Freshin”, e cila kap vlerën prej 1,2 milionë eurosh dhe është për periudhën nga 1 janar 2018 deri më 31 dhjetor 2017. Ajo ka dorëzuar edhe referencën me Porex, e cila është lëshuar për periudhën nga 1 janar 2018 deri më 31 dhjetor 2018 në vlerë mbi 141 mijë euro dhe me Norwegian PX Kosova në vlerë 101 mijë euro. Kjo e fundit, sipas saj, ka devijime të vogla të referencave vetëm për 21 ditë.