Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në prag të 4 korrikut, 246 vjetorit të pavarësisë së SHBA-së theksoi se atë që ka bërë Amerika për Kosovën shkon përtej çdo partneriteti që ka njohur ndonjëherë bota.
Osmani në një postim në Facebook ka shpërndarë fotografi nga festa e organizuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë në prag të 4 korrikut.
“Mbrëmë, në një atmosferë të jashtëzakonshme, mes miqsh të shumtë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nga Kosova, festuam festën e pavarësisë së SHBA-ve. Atë që kanë bërë Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan për vendin tonë, për lirinë tonë, për të drejtën tonë për të ekzistuar dhe për çdo qytetar që e quan Kosovën shtëpi të vet, shkon përtej çdo partneriteti që ka njohur ndonjëherë bota. Më 4 Korrik, festojmë krahas popullit amerikan dhe kujtojmë vlerat e idealet mbi të cilat janë ndërtuar Shtetet e Bashkuara. Në këtë ditë, kujtojmë edhe të gjithë ata që nëpër dekada kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e miqësisë sonë të përjetshme”, shkruan Osmani.