Gjatë një vizite në Kompleksin Memorial në Prekaz, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë të enjten se binomi Presidenti Ibrahim Rugova – Komandanti Adem Jashari, ndërtuan themelet e shtetit të Kosovës.
“Nderimi ynë për familjen Jashari, për komandantin legjendar Adem Jashari, i cili si një binom bashkë me Presidentin Rugova, ndërtuan themelet e shtetit të Kosovës, është i përhershëm dhe shërben si një udhërrëfyes, për çdo hap që ne e qesim në çdo procesin të shtetndërtimit dhe në të gjitha sfidat që na dalin përpara, në fuqizimin e shtetit tonë dhe në zhvillimin e tij”, tha Osmani.
E shoqëruar nga zyrtarë të lartë të partisë dhe përfaqësues të Degës së LDK-së në Skenderaj, Osmani tha se ka ardhur për të nderuar sakrificën më sublime të luftës së fundit në Kosovë, atë të familjes Jashari dhe për tu përkulur sot e çdo ditë, para kësaj sakrifice, e cila i tregoi botës mbarë, që lufta e popullit të Kosovës për liri, ishte luftë e drejtë dhe për këtë arsye u përkrah nga e gjithë bota demokratike.